Shqipëria prodhon 100% energji të gjelbër, vetëm Lul Basha nuk e di/ Rama: Gjumi vazhdon kudo, shtrirë, ulur, në këmbë

TIRANË, 28 shkurt/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “Shqipëria prodhon 100% energji të gjelbër dhe vetëm Lul Basha nuk e di këtë”.

“Gjumi vazhdon kudo, shtrirë, ulur, në këmbë”, tha Rama, ndërsa solli në vëmendje ndryshimin mes qeverisjes së PD-së dhe qeverisjes së PS-së në politikat e ndjekura në fushën e energjisë.

“Qeverisja e PD-së ka shpërndarë 517 licenca për prodhim energjie nga burime hidrike. Më shumë se gjysma nuk kanë nisur dot investimin dhe janë në pamundësi nisjeje. Skanimi i kryer në prill 2019 tregoi se pothuajse të gjithë HEC-et e ndërtuara kishin devijime nga projekti fillestar; ulje ose shtime kapacitetesh, devijim apo vjedhje të ujit; probleme me komunitetet lokale, mjedisin vaditjen apo ujin e pijshëm. Gjithçka e kryer me dijeni nga organet e qeverisjes së PD-së”, tha ai.

Ndërkohë Qeveria Rama nënshkroi marrëveshjet për parkun fotovoltaik të Karavastasë 140MW; parkun fotovoltaik Spitallë 100MW; HEC Skavica në bashkëpunim me partnerin tonë strategjik SHBA.

“Prej 2017 kanë përfituar tarifë mbështetëse projektet 110 MW. Mars 2021 bëhet hapja e ankandeve hibride, fotovoltaik dhe eolik”, tha Rama. /m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.