“Ndjesë pronarëve për vonesat dhe problemet”/ Basha: Do të abrogojmë ligjin aktual të pronave

TIRANË, 28 shkurt /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha iu prezantoi sot pronarëve të shpronësuar, programin e qeverisë së tij pas 25 prillit për pronat.

Basha shpjegoi me detaje të gjithë angazhimet e tij për procesin e kthimit dhe kompensimit real të pronave në Shqipëri duke e konsideruar ligjin Rama të vitit 2013 si një shpronësim të dytë të pronarëve të ligjshëm në Shqipëri duke u zotuar për ta shfuqizuar atë.

“Qëndrimet tona kanë qenë të qarta dhe të prera për padrejtësitë e dyfishta që rëndojnë në kurrizin e pronarëve që prej vitit 2013. Ne e konsiderojmë ligjin e qeverisë Rama një shpronësim të dytë anti-kushtetues, anti-ligjor. Dhe jemi zotuar që ditën e parë të kalimit të atij ligji se do ta shfuqizojmë atë. Ne i jemi drejtuar Gjykatës Kushtetuese dhe do të vazhdojmë të ndjekim rrugën tonë deri në instancat më të larta të Strasburgut për të shfuqizuar çdo efekt me prapaveprim të këtij ligji ç’njerëzor, i cili nuk bën gjë tjetër veçse i vë një damkë të dyfishtë turpit të trashëgimisë së kundërshtarit tonë politik dhe qeverisë në ikje të kryeministrit Rama”, tha Basha.

“Qëndrimi ynë ka qenë i qartë dhe i prerë, dhe në nisje të debatit politik për këtë çështje, unë e kam thënë publikisht dhe dua ta përsëris sot edhe një herë publikisht, ju lutem të nderuar pronarë të Shqipërisë pranojeni këtë dhe si një ndjesë, në emër të Partisë Demokratike për vonesat, për problemet me të cilat jeni hasur në rrugën tuaj në kalvarin tuaj 30-vjeçar edhe për shkak të përgjegjësive tona të papërfunduara. E them këtë me gjithë vetëdijen që jam drejtuar edhe përndjekurve politik, me vetëdijen se as të përndjekurit dhe as pronarët nuk kishin dhe nuk kanë ku ta kërkojnë drejtësinë e munguar këto 30 vite përveçse tek shtëpia e lirisë, kjo është Partia Demokratike”, u shpreh Basha.

“Ne do të sigurojmë që procesi i trajtimit të çështjeve të pronës do të jetë transparent dhe do të jetë më eficiensë të plotë ndaj pronarëve dhe interesit publik të qytetarëve shqiptarë”, tha Basha.

“Ne do të abrogojmë ligjin aktual të pronave dhe të gjitha aktet nënligjore në fuqi që janë të pandershme dhe do të nisim hartimin e një kuadri ligjor të konsoliduar që jep zgjidhje çështjes së trajtimit të pronësisë. Shfuqizim tërësor i ligjit për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë dhe akteve nënligjore sa i takon përfundimit të procesit kalimtarë të trajtimit të pronës. Kuadri i ri për çështjet e pronësisë do të jetë guri i themelit mbi të cilin do të ngrihet trajtimi nga qeveria karshi pronës private të pakthyer, pronës private të individit dhe pronës publike të nëpërkëmbur”, theksoi Basha.

“Në emër të Partisë Demokratike angazhohem se kuadri I ri ligjor do të reflektojë reflektimin e parimeve themelore ku prioritetet do të jenë: kthimi i pronës, kompensimi fizik, pra në natyrë i pronës dhe apo pjesëmarrje me obligacione në fondet e investimeve publike sipas marrëveshjes me pronarët e shpronësuar. Garantimi dhe respektimi i titujve të pronësisë referuar një vendimi të formës së prerë administrative apo gjyqësore, të cilët në asnjë rast nuk do të preken pa një proces të rregullt ligjor”, tha Basha.

“Garantimi i ekzekutimit të veprimeve përfundimtare të kompensimit të pronës të pa ekzekutuara duke ju referuar zërit kadastra të përcaktuar në to. Përfshirja në fondet e kompensimit fizike të pronave të konfiskuara për efekt të ligjit anti-mafia përfshirë edhe rastet e kontratave PPP apo koncesioneve korruptive. Kërkesat e pa trajtuara do t’i nënshtrohen ligjit në kohën në fuqi në kohën e depozitimit të kërkesës në agjenci, ndërsa ekzekutimi do të kryhet në të njëjtën skemë si rastet e ekzekutimit të vendimeve të tjera përfundimtare”, u shpreh kreu i PD.

“Kërkesat e reja që nuk janë paraqitur më parë do të trajtohen në frymën e ligjit të ri. Pronarët do të shkarkohen nga kostot administrative si dhe tarifat dhe taksat gjyqësore në proceset administrative dhe gjyqësore të cilat do të mbarten nga shteti”, shtoi Basha.

“Ne angazhohemi që në përfundimin e procesit të legalizimit të filluar prej vitesh duke i garantuar pronarëve kompensimin e plotë dhe të drejtë të pronës, të bëjmë të mundur plotësimin e një prej objektivave të këtij ligji. Fondi i kompensimit të legalizimit do të jetë më vete, në zbatim të ligjit të pronës”, tha Basha.

“Ne angazhohemi se do të rregullojmë kuadrin ligjor në lidhje me ato raste të interesit publik që preken në mënyrë të qartë dhe shteruese, duke përcaktuar njëherë e mirë kriteret vlerësuese për kompensimin e pronës për investime të tilla publike ne besojmë se do t’i jepet fund abuzimit me pronën në kurriz të një investimi publik dhe në këtë kuadër angazhohemi për rishikimin e ligjit përkatës, i cili ka hapur të gjitha hapësirat për abuzivizëm në kurriz të pronarëve të ligjshëm dhe zbatimin e të gjitha parimeve kushtetuese dhe detyrimeve që Shqipëria ka në kuadër të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut për shenjtërinë e pronës private”, nënvizoi Basha.

“Po kështu si pjesë e angazhimit tonë është edhe ndërtimi i një sistemi të rregullt për t’i dhënë fund kaosit kadastral, i cili pamundëson vërtetimin ligjor të pronës për qytetarët shqiptarë, të cilët e kanë të pa mundur ta përdorin këtë pronë si kolateral apo të fitojnë të ardhura prej pronës duke penguar vendin vit për vit që të përfitojë miliona nga tregu madje duke shkaktuar humbje, të cilat përllogariten sipas institucioneve ndërkombëtare në qindra milionë euro dhe dhjetëra mijëra vende pune të humbura si rezultat i këtij kaosi me regjistrimin e pronave”, tha Basha. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.