Me variantet e COVID-19, një metër distancë nuk mjafton

ROMË, 28 shkurt /ATSH-ANSA/ – Variantet e virusit SARS-Cov-2 karakterizohen nga një rritje prej 40 % e distancës së transmetueshme dhe një metër larg personit pozitiv nuk është më e mjaftueshme.

“Tani, nëse nuk doni të infektoheni, duhet të qëndroni 1,4 metra larg”, sipas dr. Corrado Spinella, fizikan dhe drejtor i Departamentit të Shkencave Fizike dhe Teknologjive të Lëndës (Cnr-Dsftm).

SARS-CoV-2 është një patogjen i frymëmarrjes që transmetohet kryesisht përmes pikave të mëdha (pikave) dhe të vogla (aerosol) që nxjerrim kur kollitemi, teshtijmë, këndojmë ose thjesht flasim dhe marrim frymë.

Për këtë arsye, masat kryesore për të thyer zinxhirin e infeksioneve përfshijnë maskat, që formojnë një pengesë fizike midis traktit të sipërm të frymëmarrjes dhe mjedisit të jashtëm, si edhe distancën fizike nga të tjerët, që zvogëlon rrezikun e rënies në kontakt me grimcat virale të nxjerra jashtë.

Në Itali, distanca minimale e kërkuar është një metër, ndërsa në vendet e tjera mund të jetë e lartë, deri në 1,8 metra (si në SHBA) dhe madje edhe dy metra.

Por ndërsa mbajtja e distancës prej një metri konsiderohej një masë e efektshme për të kundërshtuar variantin “origjinal” të COVID-19, me variantet që kanë dalë në qarkullim, veçanërisht ai britanik, situata është ndryshe.

Sipas llogaritjeve të një algoritmi të zhvilluar nga shkencëtarët e Këshillit Kombëtar të Kërkimit (CNR) në Itali, në fakt, për të mbrojtur veten nga variantet e reja të virusit duhen edhe 40 centimetra më shumë.

Analiza bazohet në një model fiziko-matematikor të zhvilluar për të analizuar progresin e pandemisë dhe për të parashikuar trendin e saj të ardhshëm./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.