Kryemadhi: Kontroll rigoroz për cilësinë e karburanteve, ulje e kostos në rreth 20 % duke hequr taksën e qarkullimit

TIRANË, 28 shkurt /ATSH/ Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi premton se do të vendosë një kontroll rigoroz për cilësinë e karburanteve dhe do të realizojmë një ulje të ndjeshme të kostos së tyre në rreth 20 % duke hequr taksën e qarkullimit.

“Shqiptarët jetojnë në një vend të bukur dhe të bekuar nga Zoti, me malet fisnike , me fushat, detin e ajrin si askush tjetër. Por keqshfrytëzimi dhe papërgjegjshmëria e kanë ndotur mjedisin duke e bërë shpesh të rrezikshëm për jetën e njerëzve dhe një mundësi të munguar për turizmin”, shprehet ajo në një video të publikuar.

Ne, thekson Kryemadhi, “do të mbrojmë dhe kthejmë në normalitet ambientin, tokën, ujin dhe ajrin nga ndotja e nga zhvillimi industrial i papërgjegjshëm”.

“Ne do të mbështesim energjinë e gjelbër dhe këdo që përdor panelet diellore për përdorim shtëpiak”, shton ajo.

“Do të reformojmë standardet e ruajtjes së energjisë në ndërtim dhe ato antisizmike, që t’i bëjmë ndërtesat më të sigurta dhe më pak të kushtueshme për shqiptarët. Do të vendosim një kontroll rigoroz për cilësinë e karburanteve dhe do të realizojmë një ulje të ndjeshme të kostos së tyre në rreth 20 % duke hequr taksën e qarkullimit. Ne e mbajmë fjalën! Shqipëria shtëpia juaj!”, përfundon Kryemadhi. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.