Hillary Clinton rizbulon veten si shkrimtare romanesh policeske

UASHINGTON, 28 shkurt /ATSH-ANSA/ – Një Sekretare Shteti e sapoemëruar, me detyrën për të rikthyer në fuqi udhëheqjen amerikane pas vitesh ndikimi të reduktuar jashtë vendit, vihet menjëherë në sprovë nga një valë sulmesh terroriste, që kërcënojnë të destabilizojnë rendin botëror: nëse tema duket e njohur, ka një arsye, sepse “Shteti i Terrorit”, triller i ri politik nga shkrimtarja kanadeze Louise Penny ka një bashkëautore të jashtëzakonshme, Hillary Clinton.

Në një shembull të pazakontë bashkëpunimi, romani do të botohet më 12 tetor nga “Simon dhe Schuster” dhe “St. Martin’s Press”, që janë shtëpitë përkatëse botuese të Clinton dhe Penny.

Të dyja grate, mike prej një kohe të gjatë, nuk e kanë fshehur kurrë admirimin e tyre të ndërsjellë.

Në kujtimet e saj, “Çfarë Ndodhi”, Hillary thotë se “u zhyt në misteret e Louise për të gjetur ngushëllim, pas humbjes ndaj Donald Trump në 2016″.

“Kur u sugjerua që të shkruanim një thriller politik së bashku, unë nuk ngurrova të them po”, tha nga ana e saj shkrimtarja kanadeze, që ka tashmë 16 romane nën emrin e saj.

Hillary do të shfrytëzojë dekada të vazhdueshme përvojë në politikë për t’i dhënë një realizëm narrativës.

Ashtu si bashkëshorti i saj Bill, edhe Hillary është një lexuese e zjarrtë e tregimeve policeske./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.