“Deputeti që duam”/ Balla këshillë kandidatëve të rinj: Marrëdhënien më të ngushtë ruajeni me zgjedhësit, asnjëherë mos e ndërprisni komunikimin me ta

TIRANË, 28 shkurt /ATSH/ -Kreu i grupi parlamentar të PS, Taulant Balla ishte sot i pranishëm në aktivitetin “Deputeti që duam”, me disa prej finalistëve që do të jenë pjesë e skuadrës Kombëtare të PS në zgjedhjet e 25 prillit.

“Jam një prej djemve dhe vajzave që iu bashkuan PS-së 27 vite më parë në betejën e parë që fitoi PS prej vitit 1991 që ishte referendumi i nëntorit 1994. Dhe prej atij momenti kam qenë hap pas hapi në të gjitha nivelet e përfaqësimit të PS-së, për të arritur për t’u përzgjedhur njësoj si djemtë dhe vajzat që do të jenë sot këtu bashkë me ne pjesë e ekipit kombëtar të PS”, u shpreh Balla, duke treguar shembullin e tij personal.

“Prej vitit 2005 kam pasur nderin që të jem jo vetëm përfaqësues i PS, por të jem përfaqësues i një zone të caktuar të Shqipërisë, për të cilën gjithmonë ruaj mirënjohjen”, tha Balla.

Duke u dhënë një këshillë djemve dhe vajzave që sot bëhen pjesë e ekipit të PS, Balla theksoi se, “marrëdhënien më të ngushtë ruajeni me zgjedhësit. Asnjëherë mos e ndërprisni komunikimin me ta dhe asnjëherë mos harroni se janë ata të cilët ju kanë mbështetur, ju vëzhgojnë. Dhe dallimi mes herës së parë të kandidimit dhe herëve të tjera është, herën e parë qytetarët të japin besim, herën e dytë apo të tretë, apo të katërt është detyra jote që besimin t’ua shpërblesh me punë”.

Balla shtoi se, “ndërthurja mes listave të partive dhe hapjes së listave që qytetarët të përzgjedhin listat që ata duan është sot një mekanizëm që do të përmirësojë cilësinë e ekipeve”.

Por, theksoi Balla, “ajo që bëri PS është tërësisht diçka tjetër. Ne nuk u mjaftuam vetëm me gjithçka që kemi brenda familjes tonë politike, por ne hapëm një dritare tek e cila interesi për mua personalisht ishte i paimagjinuar që do të kishte aq shumë djem dhe vajza. Dhe më së shumti ishin edhe nga jashtë Shqipërisë dhe disa prej tyre janë përzgjedhur për të qenë pjesë e ekipit kombëtar të PS”. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.