Dallimi është kolosal/ “Deputeti që duam” hapje e mëtejshme e PS-së; lista e opozitës, qasje mesjetare ndaj politikës

TIRANË, 28 shkurt/ATSH/ Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali deklaroi sot se “lista e Monës, Lulit, Saliut, Nardit, Ilirit, Fatmirit, Shpëtimit dhe ca të tjerëve, është listë e ndarjes dhe largimit të vazhdueshëm të politikës nga shoqëria, populli, elektorati”.

“Dallimi është kolosal. Lista e tyre është listë e qasjes mesjetare ndaj politikës. Listë e klanizmit, mercenarizmit, klientelizmit. Ngritje në piedestal e parimit kap ça të kapësh.
Shqipëria dhe shqiptarët nuk meritojnë eksperimente të tilla të padenja, nuk kanë kohë të humbin me skema të riciklimit bajat të emrave të vjetëruar, të stërprovuar, të ndryshkur, të deformuar”, tha ajo.

Ndërkohë, Spiropali tha se “‘Deputeti ynë’, “Deputeti që duam”, ndër tjera, është hapje e mëtejshme e Partisë Socialiste ndaj shoqërisë në vazhdën e vetkorrektimit tonë përmirësues të natyrshëm për të mirën e përgjithshme”.

“Do ta mbyllim shpejt hendekun e pamerituar mes Shqipërisë që gjetëm dhe Shqipërisë që duam”, tha ajo. /m.m//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.