Vaksinimi antikovid nisi sot edhe në Korçë, përfundon së shpejti vaksinimi i gjithë bluzave të bardha

TIRANË, 27 shkurt/ATSH/ Sot nisi vaksinimi edhe në Korçë për bluzat e bardha fillimisht dhe më pas me grupet prioritare. Korça ështa stacioni më i fundit pas Tiranës, Fierit, Vlorës, Kukësit.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu duke njoftuar vaksinimin antikovid dhe në Korçë u shpreh se “së shpejti përfundojmë vaksinimin e të gjithë bluzave të bardha”.

Gjatë ditës së djeshme janë kryer 1001 vaksinime antikovid dhe që nga fillimi i vaksinimit janë kryer 11 136 vaksinime antikovid.

“Të hënën do të mbërrijnë rreth 15 mijë vaksina ‘Pfizer’ dhe së shpejti do të kemi lajme të mira për të tjera sasi vaksinash”, u shpreh kryeministri Rama një ditë më parë.

Aktualisht, Shqipëria ka marrë doza të vaksinës “Pfizer”, ndërkohë që përmes COVAX, pret dozat e vaksinës së “AstraZeneca”.

Lidhur me planin e vaksinimit, qeveria synon që të zbatojë skenarin më ambicioz, që është vaksinimi i të gjithë kategorive dhe i të gjitha moshave që përfshihen në planin e vaksinimit brenda 14 muajsh. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.