Tabaku, takim me biznese në Tiranë: Do ju çlirojmë nga barra e taksave

TIRANË, 27 shkurt/ATSH/ Ish-deputetja e Partisë demokratike, Jorida Tabaku zhvilloi sot një takim me bizneset e rrugës “Myslym Shyri” në Tiranë, ku tha se “zgjidhja për të gjitha problemet e krijuara në 8 vjet qeverisje të Edi Ramës është programi i Partisë Demokratike”.

Ky program, tha Tabaku, parashikon çlirimin e biznesit nga barra e taksave dhe kontrolleve të inspektoriateve dhe krijimin e lehtësive të tjera fiksale e shtetërore me qëllim zhvillimin e biznesit dhe rritjen e punësimit në këtë sektor.

“Qeveria nuk e mbështeti ekonominë, i rriti energjinë, ka rritur taksat pothuajse 3 miliard në tetë vite dhe ky problem ka krijuar një ngërç që edhe produktet e tuaja, që nuk janë shumë të shtrenjta, shtresa e mesme e ka të pamundur t’i blejë”, u shpreh ish –deputetja Tabaku.

“Ne kemi hartuar një plan që biznesi të punojë i qetë. Ti ke, kushedi sa vite, që je këtu. Nuk e vjedh ti shtetin. Shteti vidhet tek dogana dhe tatimet. Pikërisht ti që je tatimpagues i rregullt dhe ti që ke qenë i ndershëm me shtetin gjithë jetës tënde të mos të vijnë të të bezdisin tek dera”, iu drejtua Tabaku përfaqësuesit të një biznesi./m.m/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.