REPUBLIKA ÇEKE: Babis: Vendi drejt katastrofës totale në spitale për shkak të Covid-19

PRAGË, 27 shkurt /ATSH-DPA/ – Me rreth 20 000 vdekje nga koronavirusi që nga fillimi i pandemisë, Republika Çeke shtrëngoi sërish kufizimet, ndërkohë që sistemi shëndetësor ndodhet në limitet e tij.

Numri i njerëzve të infektuar që nga fillimi i pandemisë u rrit me 14 457  brenda 24 orëve.

“Për shkak të numrit dramatik të infeksioneve të koronavirusit, Republika Çeke do të kufizojë në mënyrë drastike lirinë e lëvizjes së njerëzve në të gjithë vendin”, njoftoi ministri i Brendshëm, Jan Hamacek.

Nga e hëna, njerëzit do të lejohen të largohen nga distriktet e tyre përkatëse në raste të jashtëzakonshme.

Udhëtimet për në punë, te mjeku dhe tek autoritetet janë akoma të lejuara, me kusht që njerëzit të mund të japin prova të besueshme.

Kryeministri Andrej Babis paralajmëroi këtë javë se vendi po shkonte drejt një “katastrofe totale” në spitale, nëse infeksionet nuk fillojnë të ulen.

Parlamenti miratoi legjislacionin që lejon kufizime të gjera, të tilla edhe si mbyllja e dyqaneve./ /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.