Me 191 km/h për t’u… vaksinuar!

PARIS, 27 shkurt /ATSH-AA/ – Autoritetet në Francë sekuestruan patentën e një 88-vjeçari, kurse vetura e tij u ndalua nga qarkullimi, pasi është kapur nga radari me shpejtësi 191 km/h.

Xhandarmëria e rajonit Bas Rhin, në lindje të vendit, tha se ngjarja ka ndodhur në Bischoffsheim, ku shoferi i moshuar, pas ndalimit nga policia, ka thënë se po nxitonte për të arritur në kohë për prenotimin e caktuar për vaksinimin.

“Do të vonohem në prenotimin që kam caktuar për t’u vaksinuar”, njoftohet të ketë thënë 88-vjeçari.

Megjithatë, përkundër provave që shoferi me të vërtetë po shkonte për vaksinim, policia ka sekuestruar patentën e shoferit dhe ka ndaluar veturën nga qarkullimi.

Në fushatën e vaksinimit të nisur në Francë, përparësi kanë personat mbi 75 vjeç.  /os/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.