Kontribut në 46 vite në arsim/ Kushi vlerëson mësuesin nga Pogradeci, Bujar Beqiri

TIRANË, 27 shkurt/ATSH/ Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi solli sot në vëmendje shembullin e mësuesit nga Pogradeci, Bujar Beqiri, i cili për 46 vite ka dhënë me përkushtim lëndën e edukimit fizik.

“Mësues Bujari nga Pogradeci, i cili është përfaqësues i komunitetit rom, ka dalë para pak kohësh në pension duke lënë pas një përvojë shumë të mirë në sistemin parauniversitar si mësues i edukimit fizik, veçanërisht gjatë viteve të fundit në shkollën 9-vjeçare “Hamdi Alinj” të Leshnicës”, tha Kushi.

Ministrja tha se “ai ka mbaruar shkollën e mjeshtërisë në Durrës në vitin 1975 dhe për 46 vite me radhë ka dhënë kontribut të çmuar në arsimin pogradecar në profilin e edukimit fizik dhe ka spikatur përherë me korrektësinë, pasionin për punën dhe thjeshtësinë për të qenë afër nxënësve, kolegëve dhe prindërve”.

“Faleminderit mësues Bujari dhe të uroj pension sa më të mbarë”, tha ministrja. /m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.