Basha: Angazhim për të vënë në lëvizje prodhimin e energjisë së rinovueshme


TIRANË, 27 shkurt/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë një takimi me përfaqësues të Shoqatës së Energjisë së Rinovueshme, shpjegoi planin e tij për energjinë, ku fokusi kryesor ishte tek angazhimi i qeverisë së tij pas 25 prillit për të vënë në lëvizje prodhimin e energjisë së rinovueshme.

Gjatë një takimi të zhvilluar në selinë e PD, Basha shpalosi detaje të programit si dhe mori prej përfaqësuesve të shoqatës edhe adresime shumë të rëndësishme për këtë sektor me të ardhme sa i përket energjisë.

Basha tha se synohet maksimizimi i prodhimit të energjisë së rinovueshme dhe konkurueshmëria e bizneseve shqiptare dhe hapja e vendeve të punës me paga dinjitoze.

“Potenciali është i jashtëzakonshëm e në veçanti potenciali i energjisë së rinovueshme, ndonëse ka filluar të përdoret në dy dekadat e fundit, prapë se prapë mbetet në masë të madhe i pashfrytëzuar. Për këtë ju nuk keni absolutisht asnjë përgjegjësi. Madje mund ta them me gojën plotë se të pakët janë sipërmarrësit që do të duronin, mbijetonin, prodhonin dhe vazhdonin në kushtet e një ambienti kaq jo miqësor, madje armiqësor ndaj sipërmarrjes në tërësi dhe ndaj disa sektorëve të veçantë të sipërmarrjes, siç është dhe sektori juaj”, tha Basha.

Ai tha se ky sektor është goditur nga mungesa e parashikueshmërisë, ndryshimi i rregullave të lojës në mes të lojës, dhe vendosja e masave arbitrare e të pajustifikuara.

“Si rezultat i mungesës totale të luajalitetit nga ana e qeverisë në këto 8 vite, ne kemi humbur mundësi të jashtëzakonshme. Mundësi për të zhvilluar sektorin, mundësi për të investuar, mundësi për të përqafuar avancimin e shpejtë të teknologjisë. Dhe si rezultat i kësaj ka humbur sektori juaj, investitorët, ka humbur sipërmarrja shqiptare që paguan koston më të lartë të energjisë në rajon, dhe humbësi fundor por më i madh është qytetari shqiptar, është familja shqiptare. Ka humbur dhe shteti miliona, dhjetëra miliona, qindra miliona, që do t’i përfitonte drejtpërdrejtë dhe indirekt nëse nuk do të ekzistonte kjo situatë”, shtoi ai.

Pa diskutim, shtoi ai, “energjia hidrike mbetet shtylla kurrizore e sistemit energjitik shqiptarë, por jam i bindur që me pasurimin e burimeve dhe diversifikimin e tyre, në veçanti sa i përket energjisë diellore edhe asaj eolike, do bëjmë të mundur që edhe vlerën e energjisë hidrike ekzistuese dhe asaj në të ardhmen ta shumëfishojmë dh eta bëjmë që të punojë për ekonominë shqiptare”. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.