Zgjedhjet e 25 prillit/ Miratohen specifikimet teknike të fletës së votimit

TIRANË, 26 shkurt /ATSH/ Komisioni Rregullator në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve shqyrtoi projektvendimin “Për miratimin e specifikimeve teknike të fletës së votimit për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 25 prill 2021”.

Komisioni Rregullator miratoi specifikimet teknike sipas të cilave, fletët e votimit duhet të jenë prej letre, me ngjyrë, trashësi ose elemente konfigurimi të tilla që të mos lejojnë leximin e votës në pjesën e pasme të saj, si dhe të përmbajnë elemente sigurie, sipas përcaktimeve me akt normativ të KQZ-së.

Fleta e votimit përmban elementë teknikë në formën e kodeve që identifikojnë zonën zgjedhore, qendrën e votimit, si dhe elementë të tjerë identifikues që nuk lexohen me sy të lirë (barkod). Ato do të prodhohen në blloqe pa kundërfletë. Numri i serisë së bllokut të fletëve të votimit shënohet në dokumentin që shoqëron bllokun e ambalazhuar, sipas përcaktimeve të KQZ-së. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.