Zero tatimfitim dhe TVSH/ Denaj: Ndihmë biznesit dhe nxitje punësimit përmes formimit profesional në 10 qendra

TIRANË, 26 shkurt /ATSH/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj së bashku me ministren e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ishin sot në Vorë, në mjediset e kompanisë “Meko 98”, ku prodhimet e veshjeve falë cilësisë nën markën “Made in Albania” tashmë kanë arritur në tregun europian dhe amerikan.

Gjatë një bashkëbisedimi me punonjëse të biznesit, Denaj u shpreh se, “tatimfitimi zero dhe TVSH zero është një mbështetje e fortë për biznesin e vogël, si në asnjë vend të rajonit”.

Ajo theksoi se, “nxisim prodhimin dhe mbështesim biznesin me politika fiskale për të rigjeneruar ekonominë dhe rritjen e punësimit”.

“Zyrat e punës në të gjithë Shqipërinë janë bërë sot një pikë qëndrese jo vetëm e individëve që kërkojnë punë, por edhe e bizneseve që kërkojnë të punësuar dhe në këtë zonë ne kemi pasur dhe sipërmarrje të tjera që kanë kërkuar punësim në numër të konsiderueshëm”, u shpreh Denaj.

“Ne realizojmë edhe një proces që është përgatitja  për vendin e punës. Është kosto që e ka bzinesi, por shteti i ka ardhur në ndihmë përmes formimit profesional që adresohet në 10 qendra në të gjithë Shqipërinë”, tha Denaj.

E pyetur nëse do të ketë mundësi për rritje të mëtejshme të pagës minimale prej 30 mijë lekë, Denaj tha se, “paga 30 mijë lekë diskutohet sot që prej 1 janarit si një detyrim për të gjithë sipërmarrësit për të paguar punonjësit e tyre. Në të ardhmen sikurse e kemi treguar që kemi kontribuuar në rritjen e pagës minimale me gati 36 % rritje nga viti 2013 deri sot në 2021, mendojmë që kjo është një perspektivë që shkon dhe na përafron me standardet ndërkombëtare”.

E pyetur në lidhje me ndihmën ekonomike, Denaj tha se, “kemi dyfishim të ndihmës ekonomike”.

Por theksoi ajo, “ne duhet të synojmë punësimin. Nëse forca e punës është e aftë për punë, ne duhet të rrisim kapacitetin për punë në atë sektor që ka nevojë ekonomia”.

Në lidhje me mbështetjen ndaj biznesit fason për të kapërcyer vështirësitë e pandemisë, Denaj tha se, “erdhi në ndihmë garancia sovrane vitin e kaluar qoftë në aspekt të pagave, ashtu edhe në raport me biznesin. Apo qoftë me nevojën e transformimit që një bzines mund të ketë si rezultat i nevojës për blerjen e makinerive të tjera”.

Denaj u shpreh se, “garancia e dytë sovrane është shtyrë në afat deri në qershor të këtij viti, që të presim sa kjo situtatë të shkojë drejt normalitetit”.

Spiropali foli për vizitën e parë që kishte kryer në këtë kompani në dhjetor, ku u shpreh ajo, “i jemi gjendur gjatë pandemisë dhe uroj t’i gjendemi dhe në kohë të mirë”.

Spiropali u shpreh se kur i pyeti punonjësit për pagat e luftës i thanë që i kishin marrë të gjithë dhe kjo ua ka lehtësuar edhe situatën e pandemisë në 2020-ën. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.