Vasili: Pas 25 prillit, anulojmë ligjin e vetingut në Polici

TIRANË, 26 shkurt /ATSH/ Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili reagoi sot pas bashkëbisedimit të kryeministrit Edi Rama me qytetarët në Berat.

“Unë jam këtu që t’ju kujtoj të gjithë qytetarëve që të mos harrojnë kurrë që katër vjet më parë, po në qarkun e Beratit, ishte po ky Edi Rama, i cili kryente ditën për diell një krim kushtetues të padëgjuar kurrë më parë në Shqipëri, atë që i kërkonte policisë të braktiste ligjin, të braktiste detyrën e të kthehej në një polici politike, që bënte vota për Partinë Socialiste”, tha Vasili në një deklaratë për mediat.

“Edi Rama, siç e shikoni, ka pasur dhe ka në mendje vetëm njerëz, punonjës të shtetit, të cilët janë thjesht dhe vetëm ushtarë të Rilindjes. Për këtë arsye Edi Rama nëpërkëmbi dhe shkatërroi e prishi edhe një ligj që u miratua vite më parë për vetingun në Polici”, shtoi Vasili.

“Ky veting është nul, është zero. Opozita pas fitores së 25 prillit do të anulojë këtë ligj të Vetingut, i cili është një ligj që kërkon vetëm e vetëm transformimin e policisë në një polici politike”, tha Vasili.

“Prandaj do ta anulojmë këtë ligj dhe do të bëjmë një ligj, që do të kërkojë një pastërti të jashtëzakonshme, qelibar, për të gjithë krerët e policisë sepse populli me të drejtë thotë që: ‘Peshku qelbet nga koka’, e nuk do të lejojmë kurrë që njerëz të inkriminuar të vazhdojnë të qeverisin Policinë e Shtetit”, u shpreh ai. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.