“Ta bëjmë Shqipërinë si një shtet të BE-së”/ Dinamikat e brendshme në Europë, ndikim në procesin e integrimit

TIRANË, 26 shkurt/ATSH/ “Procesi i hapjes së negociatave lidhet me hapin formal të Konferencës Ndërqeveritare”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në bashkëbisedim me qytetarët në Berat, nga ku theksoi se, “e rëndësishme është që ne i kemi bërë detyrat tona”.

Në fjalën e tij, Rama vuri në dukje se, “këtu jemi në një fazë ku e kemi parë që dinamikat e brendshme në BE dhe hallet e brendshme të një vendi apo vendi tjetër, zgjedhjet në një vend e vend tjetër ndikojnë. Unë për vetën time e kam thënë që pa u bërë zgjedhjet në Holandë ne do të dëgjojmë shumë, por Konferenca Ndërqeveritare nuk do të ndodhë. Një nga faktorët, nuk është i vetmi. Holanda është në fushatë dhe do të shohim më mbrapa. Patjetër që ka ndikuar jashtëzakonisht shumë edhe pandemia pasi ka futur edhe një tjetër axhendë në mes. Unë do jem në Bruksel për pak ditë do të kem kontakt me të gjitha autoritete. E rëndësishme është që ne i kemi bërë detyrat tona”.

Rama sqaroi se, “BE ka dy shkallë, KE që bën vlerësimin teknik të të gjithë hapave dhe rezultateve, dhe Këshillin Politik që bën vlerësim politik, që më shumë se një vlerësim politik për situatën e brendshme, dhe kjo lidhet patjetër me situatën e brendshme në vende të caktuara. Një qeveria e caktuar nuk do të hapë rrugë në një moment të caktuar sepse ka hallin se çdo thonë zgjedhësit e vet atje. Një vend tjetër në një moment të caktuar ka një tjetër situatë dhe s’do të ndryshojë fokusin apo vëmendjen e vet publik. Nuk është një proces që ecën vetëm teknikisht, që varet vetëm çfarë bëjmë ne, por që varet nga shumë komponentë të tjerë”.

“Ajo që është e rëndësishme është që ne të bëjmë tonat për një arsye të thjeshtë, ne nuk i bëjmë se do na vlerësojë Holanda apo do na vlerësojë X apo Y. Ne i bëjmë, sepse janë gjërat e duhura për t’u bërë për vendin tonë, për shtetin tonë dhe fëmijët tanë. Reforma në drejtësi nuk bëhet se e duan amerikanët apo se e duan europianët. Patjetër që ata duan që Shqipëria të ketë një shtete të së drejtës që funksionin si të gjitha shtete e familjes ku ne duam të bëhemi anëtarë më të drejtë të plota siç jemi në NATO, të jemi edhe në BE, por ne nuk e bëjmë këtë se e duan ata, por se na duhet ne, se i duhet shqiptarëve dhe të rinjve”, theksoi Kryeministri.

Ai shtoi se, “çdo reformë dhe çdo hap që lidhet me hartën e veprimeve që imponon procesi i integrimit europian është padiskutim në të mirën e vendit tonë për ne. Jo se ne do ngrihemi që këtu e do shkojmë në Europë, por puna është të ngrejmë Europën këtu dhe ta bëjmë Shqipërinë që funksionon si një shtet i BE-së, me ato standarde dhe garanci të shtetit për qytetarin, biznesin dhe shoqërinë”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.