Shkolla e kopshti “Korb Muça” në Fushë-Krujë gati në korrik/ Ahmetaj: 300 milionë euro grante janë vënë në punë

TIRANË, 26 shkurt/ATSH/ Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj, ishte sot në Nikël të Fushë-Krujës për të parë nga afër punën për rindërtimin e shkollës dhe kopshtit “Korb Muça”.

Ahmetaj tha se kjo shkollë do të jetë gati në korrik për të pritur 300 nxënës dhe 40 fëmijë. Ministri për Rindërtimin u shpreh se 100 % e granteve të premtuara nga donatorët janë sot aktive.

“Kjo është shkolla “Korb Muça”, këtu në Nikël në Fushë-Krujë. Punimet për këtë shkollë përfundojë në Korrik dhe gjithashtu kemi dhe kopshtin. Shkolla 9-vjeçare dhe kopshtit “Korb Muça”, janë pjesë e programit EU4Schools të financuar nga Komisioni Europian me zbatim nga UNDP, e cila në korrik do të jetë gati për të akomoduar 300 nxënës dhe rreth 40 fëmijë, në ambientet me 10 klasa, 3 laboratorë, palestrën dhe terrenet sportive, dhoma e psikologut, e ndërtuar me standardet e Eurocode 8 dhe Building Back Better”, – tha Ahmetaj.

Sipas tij, “100 % e granteve të premtuara nga donatorët janë sot aktive, të angazhuara në projekte konkrete në terren”.

“Është momenti i duhur për të falenderuar donatorët. 300 milionë euro grante janë në veprim, janë në punë. Kemi dhe tri kredi të mëdha në proces: Durrësi me qeverinë franceze, ku priten 65 milionë euro; Fondi nga BERZH prej 100 milionë eurosh për banesa sociale dhe me qeverinë italiane nga ku priten 98 milionë euro për Agjencinë e Mbrojtjes Civile, peshkimin dhe bujqësinë”, – tha Ahmetaj.

“Rindërtimi vijon hap pas hapi, për të rikthyer në shtëpitë e rikonstruktuara me grante mbi 32 600 familje, për të akomoduar në shtëpitë e reja rreth 4500 familje, për të ndërtuar mbi 11 mijë apartamente në lagjet e reja, 160 objekte arsimore. Kaq shumë nuk janë bërë në 30 vite në Shqipëri. Mbi 5000 familje që do përfitojnë nga shtëpitë individuale, dhe infrastrukturë komunitare model në 28 zona për zhvillim”, – nënvizoi Ahmetaj. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.