SHBA – Dështon rritja e pagës minimale, një nga premtimet e Biden

UASHINGTON, 26 shkurt /ATSH-ANSA/ – Konsulenti zyrtar i Senatit amerikan për interpretimin e rregullave dhe procedurës parlamentare ka vërtetuar se është e paligjshme të përfshihet, ashtu siç kërkonin demokratët, rritja e pagës minimale në 15 dollarë në orë në paketën e re të ndihmës antiCovid-19, me vlerë 1,9 trilionë dollarë.

Demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve ende synojnë të miratojnë rritjen e pagës minimale, por vendimi i Senatit do të thotë se ata do të duhet të gjejnë një mënyrë alternative për të përmbushur një nga premtimet kryesore të fushatës elektorale të partisë dhe të Joe Biden.

Demokratët kishin argumentuar se rritja e pagës minimale mund të përfshihej në paketën e re stimuluese përmes të ashtuquajturit proces i pajtimit, një proces që lejon votimin e një ligji që modifikon buxhetin duke e hequr atë nga pengesat e pakicës.

Presidenti amerikan, Joe Biden deklaroi se ishte i zhgënjyer nga refuzimi i propozimit të tij për të përfshirë pagën minimale në planin e ndihmës antiCovid-19.

“Presidenti Biden respekton vendimin e konsulentit zyrtar të Senatit dhe procedurën e ndjekur, por ai do të punojë me udhëheqësit e Kongresit për të përcaktuar mënyrën më të mirë sepse askush në këtë vend nuk duhet edhe të punojë edhe të jetojë në varfëri”, deklaroi Shtëpia e Bardhë.

Për këtë arsye, Biden i bën thirrje Kongresit të procedojë shpejt për të aprovuar ndihmën e re antiCovid-19./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.