“Po punohet ditë-natë për të siguruar doza të reja”/ Rama në Berat: Pranvera, sezon intensiv vaksinimi antikovid

TIRANË, 26 shkurt/ATSH/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot nga Berati se sezoni i pranverës pritet të jetë një sezon intensiv i vaksinimit antikovid. Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarë në Berat, Rama ka nënvizuar vështirësinë e hasur në sigurimin e vaksinave pasi siç tha ai, “70 % e vaksinave antikovid janë në duart e 10 shteteve, teksa pjesa tjetër e vendeve duhet të luftojnë për 30 % të vaksinave”.

“Sfida e madhe e daljes nga kthetrat e armikut të padukshëm dhe shërimit të vendit, dhe shërimit të njerëzve nga ankthi i prezencës së armikut të padukshëm është sfidë jetësore, që do ta fitojmë. Një sfidë jetësore ku falë pikërisht bashkimit të madh të njerëzve me vetëdijen se kjo është një sfidë që i përket të gjithëve dhe jo vetëm qeverisë, por çdo qytetari, ne kemi arritur ta përballojmë pavarësisht vështirësive të jashtëzakonshme dhe tani është koha t’i japim një shtysë finale përmes vaksinimit, në kushtet aspak të lehta, kur çështja e vaksinës është kthyer në një çështje të madhe botërore, ku të gjitha shtetet kanë nevojë për vaksinën dhe ku 70 % e vaksinave sot është në duart e 10 shteteve dhe të gjitha vendet e tjera kanë akses vetëm në 30 % të prodhimit dhe ku Shqipëria si një vend i vogël, në një rajon që është në mes të Europës, por që nuk u përfshi në skemën e shpërndarjes europiane të vaksinave, na sjell përpara një sfide të madhe”, – theksoi Kryeministri Rama.

“Por falë këmbënguljes, falë durimit të madh, ne ia kemi dalë të fillojmë vaksinimin, ndërsa 140 shtete, mes tyre dhe vende të rajonit ende nuk kanë nisur vaksinën e parë”, – theksoi Rama.

“Brenda gjysmës së muajit mars ne do të mbyllim vaksinimin e të gjithë mjekëve dhe infermierëve në Republikën e Shqipërisë. Së shpejti mund të kemi lajme të mira për sigurimin e sasive të  nevojshme jo vetëm për të mos ulur ritmin, por për ta intensifikuar atë duke e kthyer këtë sezon pranveror në një sezon vaksinimi intensiv”, – nënvizoi Rama, duke shtuar se po punohet ditë natë për të siguruar dozat e vaksinave. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.