“Ka ulje të infektimeve gjatë kësaj jave”/ Rakacolli: 9 mijë persona kanë marrë dozën e parë të vaksinës antikovid, 700 dozën e dytë

TIRANË, 26 shkurt /ATSH/ “Plani i vaksinimit antikovid po vijon pasi dhe furnizimi me vaksina ka ardhur i rregullt dhe të hënën në vendin tonë mbërrijnë 15 mijë doza nga “Pfizer”, ku gjithashtu brenda 10 ditëve të para të marsit do të vijnë 14.400 dozat e para të COVAX”.

Kështu deklaroi gjatë një interviste televizive zv.ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, njëkohësisht dhe kryetare e Komitetit Teknik të Shëndetësisë, Mira Rakacolli.

“Plani i vaksinimit ka vazhduar, pasi është me përparësi të dinamikave tona shëndetësore. Tashmë vaksinat kanë ardhur rregullta dhe të hënën presim 15 mijë doza vaksinash nga ‘Pfizer’. Procesi i vaksinimit po vijon me përpikëri, në muajin mars duam që të ketë përfunduar në të gjithë Shqipërinë për bluzat e bardha. Në qytetin e Shkodrës janë vaksinuar të gjithë bluzat e bardha, po kështu dhe në qytetin e Lezhës e në qytete të tjera. Brenda 10 ditëshit të parë të marsit vijnë 14.400 dozat e para të COVAX. Vaksinim përfundon për 14 muaj”, tha Rakacolli.

“Deri mbrëmë dozën e parë antikovid e kanë marrë mbi 9 mijë veta, ndërsa dozën e dytë e kanë marrë 700 veta, ku të gjithë këto që kanë marrë dozën e dytë janë bluza të bardha kurse tek ata që kanë marr dozën e parë ka dhe të moshuar”, theksoi Rakacolli.

Mbi ashpërsimi e masave antikovid Rakacolli theksoi se, “masat bazohen tek shifrat dhe momentalisht ka një ulje të infektimeve”.

“Të gjitha masat të merren mbi bazën e analizës së numrave. Indikatorët që monitorojnë situatën janë, numri i rasteve, incidenca, numri të shtruarve në spital numri i qytetarëve që humbin jetën. Shifrat nuk janë në rritje, këtu gabojnë njerëzit. Po të shihni shifrat zyrtare, mesatarja javën e kaluar ishte 1166 të infektuar dhe këtë javë 1024. Kemi një numër më të vogël të rasteve këtë javë, edhe përhapja ka një rënie. Të shpresojmë se kjo është një tendencë në rënie. Nuk e sugjerojmë mbyllje totale këtë gjë, duke marrë parasysh edhe rastet. Qytetarët duhet të bashkëpunojnë, për veten e tyre duhet, duhet të respektojnë masat, të dalin me maskë, pasi mbrojnë veten edhe të tjerët”, përfundoi Rakacolli.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.