Gjysmë milion vizitorë në kalanë e Beratit/ Vetëm vitin e fundit janë shtuar kapacitetet mikpritëse me 350 dhoma të reja

TIRANË, 26 shkurt/ATSH/ “Pavarësisht sfidave që kemi kaluar, turizmi dhe investimet në qarkun e Beratit nuk kanë munguar”. Kështu u shpreh sot Kryeministri Edi Rama, gjatë një bashkëbisedimi me banorë të Beratit, duke sjellë në vëmendje se në kalanë e Beratit janë regjistruar gjysmë milion turistë nga viti 2014-2020, duke përfshirë këtu dhe periudhën e pas tërmetit dhe pandemisë, çka tregon se forca thithëse e këtij atraksioni turistik është e madhe.

“Më vjen shumë mirë që jam këtu sot së bashku me disa prej kolegëve dhe duke qenë se sot këtu bashkë me mua dhe me Blendin e kryetarin e bashkisë, është dhe një tjetër mik, i cili është në rastin e sotëm një mik special, por që më tej do jetë i zakonshëm. Nasipi i cili faktikisht është këtu si një deputet i kësaj zone, por po ashtu dhe si shprehje kuptimplotë e një fakti të rëndësishëm, që në këto zonë për të vazhduar punën për të çuar përpara projektet e nisura dhe për të plotësuar kornizën e projektit të madh të transforimimit të gjithë qarkut të Beratit, sot kemi nevojë për mbështetjen e të gjithëve. Kemi nevojë për një bashkim të madh forcash, sepse sfidat e mëdha të kësaj kohe të vështirë  nuk janë sfida të majta apo të djathta, apo partiake, por janë sfida jetësore”, – tha Rama.

“Patëm dhe goditjen e tërmetit, që preku jo vetëm ato mijëra e mijëra familje që mbetën pa shtëpi sa hap e mbyll sytë, në fragmentet e një sekondi, por ishte goditje për të gjithë vendin, që na imponoi në ndryshimin e prioriteteve, duke e bërë mandatin e dytë të qeverisjes sonë, një mandat karakteri, një mandat për të dëshmuar forcën e karakterit të kësaj qeverisje për të mos u përkulur përpara këtyre goditjeve, por për t’u ringritur më të fortë”, – tha Rama.

“Ashtu siç po dalim më të fortë, hap pas hapi, ditë pas dite, në procesin e rindërtimit, ku çdo ditë po kthejmë në shtëpi familje që humbën strehën, të cilët sot po marrin shtëpi më të mëdha, më të bukura e më të forta, ashtu po dalim dhe nga kjo pandemi ”, – tha Rama.

“Pandemia ka patur impakt negativ edhe në turizëm, duke goditur Shqipërinë si një vend me profil turistik dhe ka goditur edhe Beratin. Është fantastike që njerëzit këtu, jo vetëm që kanë rezistuar, por kanë vijuar të punojnë, invstojnë dhe vetëm në vitin e fundit janë ndërtuar dhe janë bërë gati 350 dhoma të reja. Dhe në periudhën qysh se ne kemi nisur punën për Rilindjen Urbane, këtu në Berat janë 4-fishuar kapacitetet mikpritëse, struktura mikëpritje, bujtina, hotele, etj. Disa hotele janë të standardeve fantastike”, – vuri në dukje Rama.

Kryeministri tha se turizmi është mbështetur me një paketë specifike, ndërsa kujtoi dhe rezultatin e arritur. “Ka një shifër që flet shumë për këtë ndryshim të madh që ka nisur. Do kishte qenë edhe më i prekshëm, nëse s’do kishim patur pandeminë, pasi janë gjysmë milioni vizitorë në kalanë e Beratit në periudhën 2014-2020, përfshirë dhe kohën e ngushtimit, mbylljes nga pandemia. Gjysmë milioni vizitorë, shifër e pakrahasueshme me të shkuarën, sikurse është shifër domethënëse e bizneseve të reja të vogla të hapura gjatë kësaj periudhe në bashkinë e Beratit dhe  më gjerë se kaq”, – tha Rama.

Sipas tij, Berati është një qark ku është kuptuar dhe po shkohet në drejtim të kthimit të vlerave të trashëgimisë, vlerave të traditës, vlerave të natyrës, në burime për të investuar për të ardhmen dhe për të fituar përmes mikpritjes e turizmit.

“Po ashtu është shumë domethënës ndryshimi në të gjithë hapësirën rurale, ku në këtë qark ka eksportues të fuqishëm të prodhimeve bujqësore, ka grumbullues të fuqishëm të prodhimeve bujqësore, ka rrjete njerëzisht të lidhur bashkë, që funksionojnë bashkë për të rritur vlerën e prodhimit në treg, duke u organizuar, duke kuptuar se bashkimi bën fuqinë. Ka dhe sfida e probleme, padiskutim”, – tha Rama ndër të tjera. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.