FOTO/ Industria e prodhimtarisë së shpendëve, një ndër më të investuarat dhe modernizuarat

TIRANË, 26 shkurt /ATSH/  Investimet e bëra në vitet e fundit në agroindustri dhe përpunim janë treguesi më i mirë i zhvillimit të biznesit.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi gjatë vizitës në ambientet e kompanisë “Agrotek” u shpreh sot ne kemi një dëshmi të qartë të investimeve dhe progresit që po bën industria e prodhimit dhe përpunimit të mishit në Shqipëri.

E shoqëruar nga Tana Kika, drejtore e Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve dhe Bledar Skënderin, drejtor i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Ekonomi u njoh gjatë kësaj vizite me investimet modern të kompanisë në fushën e prodhimit të ushqimit për blegtorinë dhe teknologjinë e lartë në rritjen e zogjve dhe arritjet në drejtim të standardeve të cilësisë dhe sigurisë ushqimore.

“Kompania “Agroteg” (Tik Tik), e cila ushtron aktivitet import zogj 24-orësh, fabrikë prodhimi të ushqimit për shpendët si dhe thertore në Vaqarr, pranë Tiranës është një ndër sipërmarrjet me aktivitet të integruar që prej vitesh asistohet nga strukturat tona me shërbim veterinar dhe kontrolle të cilësisë, për ti garantuar konsumatorit produkte cilësore duke tërhequr dhe interesin e tregut rajonal”- tha Ekonomi.

Mirush Bejko administrator i kësaj ferme, e falenderoi ministren për këtë vizitë dhe i tregoi se kompania e ka filluar aktivitetin e rritjes së shpendëve para 9 vjetësh.

“Sot bëjmë një aktivitet të integruar dhe bashkëpunojmë me disa ferma që nga Shkodra deri në Korçë, të cilëve ne u japim zogun u japim ushqimin për blegtorinë nën markën “Agrotek” edhe marrim pulën për therje. I gjithë produkti është i kontrolluar, ne asistojmë atyre dhe për problemet veterinare dhe zooteknike që kanë. Tek kjo thertore që ju shikoni është një thertore e automatizuar për kuptimin tonë edhe kështu sigurojmë që edhe produkti përfundimtar të jetë shumë i mire”- tha Bejko.

Ai theksoi se, “jemi jo vetëm në tregun vendas por jemi edhe në tregun e huaj, eksportojmë në tregun e Kosovës, edhe jemi gati të eksportojmë dhe në Mal të Zi dhe në Maqedoninë e Veriut. Jemi gjithë kohën kërkues në drejtim të cilësisë dhe duam që produkti të shkojë deri tek konsumatori sa më  mirë. Ne i shërbejmë tregut përditë me produkt të freskët. Konsumojmë produkte shqiptare të freskëta”.

Bejko shpjegoi se, automatizimi i plotë i gjithë procesit ka arritur një standard të lartë në kushtet higjieno-sanitare të thertores.

“Është një nga thertoret model në Shqipëri. Gjithashtu jo vetëm therja por edhe pjesa e ambalazhimit apo mënyrës sesi produkti  rri 5-6 orë sa të marri temperaturën konstante, transporti nëpër mjete frigoriferike, garantojnë që në fund të ditës konsumatori të marrë një produkt të sigurtë edhe të kontrolluar nga të gjitha instancat”- deklaroi Bejko.

Ministrja Ekonomi deklaroi se, “Industria e prodhimtarisë së shpendëve për mish dhe për vezë është një ndër industritë më të investuara dhe më të modernizuara sot për sot në Shqipëri”.

Shëndeti i shpendëve në këtë kompani monitorohet nga shërbimi veterinar në aspekt të programeve të vaksinimit të aplikimit të programeve të biosigurisë, për të cilat sidomos fermat e brojlerave që Tik Tik ka të shpërndara në të gjithë territorin e Shqipërisë, kanë shumë nevojë për transferim njohurish dhe kontroll të zbatimit me qëllim përsosjen e standardeve të sigurisë dhe cilësisë.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.