Çmimi i SHBA-së për Dvoranin/ Rama: Domethënës, turbullirë e madhe në lagjet e tjera të politikës

TIRANË, 26 shkurt /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në një bashkëbisedim me qytetarët në Berat se, vendimi i Sekretarit amerikan të Shtetit, Anthony Blinken për të vlerësuar me çmimin e veçantë të nderit të SHBA, gjykatësin shqiptar Ardian Dvorani ka krijuar një turbullirë të madhe në lagjet e tjera të politikës.

Rama u ndal te lufta ndaj korrupsionit.

“Ka pasur një entuziazëm shumë të madh për reformën në drejtësi që solli një mbështetje mbarë popullore për reformën dhe fokusin e madh tek Vetingu. Njerëzit me të drejtë kishin entuziazëm që vettingu do pastrojë sistemin, por një pjesë e madhe nuk kuptonin, apo nuk kanë kuptuar, apo nuk duan të kuptojnë që Vetingu është vetëm hedhja e bazave, sepse Vetingu është pastrimi, Vetingu nuk është gjykatë që dënon gjykatësit apo prokurorët e korruptuar. Vetingu pastron dhe nga pastrimi çlirohet sistemi nga një llum i madh, por nuk është se u hoqën disa dhe u arrestuan këtu të gjithë të korruptuarit. Se nuk funksionon kështu, do kohën e vet”, theksoi ai.

“Dhe duke qenë se Vetingu filloi, por nga ana tjetër njerëzit kanë ato fiksimet e tyre pse nuk u arrestua ky, pse nuk u arrestua ai. Më shkruajnë mua, s’ke arrestuar akoma filanin, s’ke arrestuar akoma fistekun, a thua se unë jam kryeprokurori i Shqipërisë. Dhe e mirëkuptoj frustracionin. Por çështja është që ne nuk jemi në vitin 1945. Nuk mund ta bëjmë dot drejtësinë me urdhër partie, as me vendim qeverie, as me vendim parlamenti. Në kuptimin që të mblidhet parlamenti të thotë arrestoni filanin, filanin dhe u mbyll ky film. Dhe aq  më pak mund të bëhet kjo duke bërë kryeministri kryeprokurorin dhe kryegjykatësin”, tha Rama.

Ama shtoi kreu i qeverisë, “nëse shikojmë sot disa shenja pozitive janë dhënë. U arrestua një gjyqtare me një grup rreth saj që faktikisht kishte marrë vendime të tmerrshme. Por deri dje kjo nuk mund të ndodhte. Sot ndodh. Dhe është një mesazh shumë i qartë për të gjithë. U arrestua një shef, mjek që faktikisht kishte rrjepur dynjanë. Deri dje kjo nuk ndodhte”.

“Dhe ajo e fundit që ka krijuar një turbullirë të madhe në lagjet e tjera të politikës, me vendimin e Sekretarit të Shtetit për të vlerësuar me çmimin e veçantë të nderit të SHBA, një gjykatës shqiptar që dihet dhe pse është bërë i njohur, dihet dhe se më kë është përplasur, është shumë domethënëse”, tha Rama.

“Nëse sot ne themi a kemi ne drejtësinë që duhet? Ne s’e kemi drejtësinë që duhet, por cila është në fakt pyetja që duhet t’i bëjmë vetes dhe kush është zgjedhja që kemi. A kemi hedhur ne bazat? Kjo nuk diskutohet. Dhe a është zgjedhja që kemi të vazhdojmë të ndërtojmë me durim të madh sistemin e ri dhe me durim të madh drejtësinë e re, duke kuptuar që drejtësinë nuk e ndërton qeveria. Por qeveria, forca politike që qeveris ka në dorë ta mbështesë ose ta pengojë. Atëherë sigurisht që po. Dhe kush mund ta mbështesë drejtësinë? Kjo është shumë e qartë besoj. Kjo është jashtëzakonisht e qartë. Ashtu sikundër është shumë e qartë se kush mund ta pengojë”, theksoi Rama.

“Në të gjitha drejtimet korrupsioni po luftohet duke reformuar dhe ndryshuar sistemet brenda sistemit të madh të shtetit, por ende këto sisteme nuk janë në atë nivel që të mund të themi që korrupsioni është defaktorizuar kudo. Kështu që zgjedhja është shumë e qartë, duhet të vazhdojmë t’i forcojmë këto sisteme, apo duhet të kthehemi mbrapa?”, u shpreh Rama.

Duke folur për dixhitalizimin, Rama tha se, “problemi i madh në një vend si i yni është ardhja e korrupsionit shumë afër çdo individi në formën e kërkesës për ryshfet për të marrë një shërbim nganjëherë shumë të zakonshëm për të marrë një dokument, për të marrë një certifikatë, për të marrë një titull pronësie, për të marrë një akses më të shpejtë në një radhë. Dhe po të shohim që ne e nisëm me 3 shërbime dixhitale në vitin 2013 dhe sot jemi duke finalizuar punën për 900 e kusur shërbime. Dhe po të shohim që janë miliona ndërveprime, miliona shërbime që janë dhënë online, pra faktikisht janë miliona kontakte që janë eliminuar dhe miliona mundësi ryshfeti që janë eliminuar”. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.