“Basha propagandë me xhepin e shqiptarëve”/ Balluku: I dhamë fund faturimeve abuzive

TIRANË, 26 shkurt /ATSH/ Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku u shpreh se premtimi i PD-së për të krijuar bursën energjetike është një premtim i momentit, pasi, siç shtoi ajo, ky projekt është realizuar nga Partia Socialiste.

“Jemi shumë të habitur nga këto deklarata të kryetarit të PD-së për të gjitha premtimet që ka bërë, pasi liderët politikë nuk janë të detyruar që të kenë ekspertizë mbi fusha të caktuara, megjithatë unë jam e sigurt se ato materiale i dorëzohen zotit Basha nga këshilltarë apo ekspertë. Si mund të ekspozohet kryetari i një partie që premton një program me aksione dhe vepra të bëra sot nga partia në pushtet?

Bursa energjetike është krijuar dhe është përshëndetur nga aktorët e huaj që na kanë mbështetur në këtë proces. Bursa energjetike ka nisur funksionimin në 23 tetor 2020. Ka qenë një kohë e gjatë që nga viti 2018 ku kemi punuar fort dhe e kemi finalizuar krijimin e saj.

Për sa i takon bashkëpunimit me OST e Kosovës, është e kryer tashmë dhe kjo. Është një iniciativë e nisur në vitin 2010, e dështuar në 2012, dhe pas ndërhyrje të qeverisë sonë në vitin 2016 u përmbyll. Kryeministri Rama së bashku me të gjithë inxhinierët e OST ka prezantuar përmbylljen e këtij projekti dhe kemi pasur një lidhje me OST e Kosovës, ku kemi bërë pëmbylljen e këtij projekti. Nuk e di se si edhe kjo mund të premtohet”, – tha Balluku.

Gjatë një interviste televizive Balluku theksoi se, “sa i takon uljes së çmimit të energjisë, unë do doja të kaloja në një analizë se çfarë ka ndodhur nga 2005 dhe deri më sot. Në 2005-ën çmimi i energjisë ishte 4.5 lekë për kilovat për konsum dhe për çdo kilovat që kalonte fashën tarifohej me 9 lekë. Në vitin 2006, menjëherë pas ardhjes në qeveri të PD-së, patëm një ndryshim. Fasha u hoq dhe u vendos që pagesa për çdo kilovat të ishte 7 lekë dhe për konsumin në ambiente të përbashkëta u vendos që çmimi të ishte 4,5 lekë kilovati. Në vitin 2008, PD e rishikon edhe një herë çmimin e energjisë duke e lënë 7 lekë për kilovat brenda fashës dhe duke e çuar në 12 lekë konsumin mbi fashë.

Kemi më pas edhe shtimin e një tarife prej 200 lekësh që ishte tarifa e matësit 0.

Dhe në 2010 rishikohet edhe një herë çmimi, ku u vendos të shtohet në vlerën 7,7 lekë kw/ora brenda fashës dhe 13,5 lekë kw/ora jashtë fashës. Pra nëse ka pasur një qeveri që e gjeti me 4,5 kw/orën dhe 9 lekë jashtë fashës, dhe arriti deri në fund të qeverisjes së saj në vitin 2013 ta çojë në 7,7 lekë kw/ora brenda fashës dhe 13,5 lekë kw/ora, jashtë fashës. Kjo është PD dhe unë nuk e di se si do ta ulë kjo qeveri që e ka rritur”.

“Të mos harrojmë, – tha ministrja, – që në qeverisjen e PD edhe abuzimet ishin të shumta, ku faturistët i sugjeronin qytetarëve që të hapnin 2 apo 3 kontarata, për të mos folur për faturimet abuzive dhe e gjithë kjo ka përfunduar një herë e mirë me reformën energjetike që ne kemi bërë dhe me vendosjes e matësve”.

Balluku tha se ne nuk e paguajmë më shtrenjtë çmimin e energjisë elektrike, ne paguajmë importet që kemi.

“Nëse zoti Basha ka nevojë të bëjë propagandë me xhepin e shqiptarëve ky është një problem që nuk na prek fare, sepse që kur thotë se do të krijojë bursën e energjetikës kur ajo është krijuar, Basha mund të thotë edhe gjëra të tjera”, – theksoi Balluku.

Shqipëria i drejtohet importit për kërkesat e vendit ndaj dhe politika e saj kanë qenë për rritjen e kapaciteteve të prodhimit të energjisë në vend.

Balluku tha se ne kemi nisur prej kohësh të ndërtojmë parqe voltaike. Ajo solli në vëmendje se një nga premtimet e PD ishte që do të prodhonte energji të gjelbër në Shqipëri, por sa për dijeni, në Shqipëri prodhohet 100 % energji e gjelbër nga HEC-et, por ne kemi vendosur të diversifikojmë burimet energjetike sipas praktikave të BE-së, sepse prodhimi në HEC-e ka varësi nga moti dhe për të mos lenë shtetin dhe xhepin e qytetarëve në varësi të shiut po diversifikojmë prodhimet nga burime të gjelbra.

Konkretisht tha ajo, “kemi nisur ndërtimin e parkut voltaik të Karavastasë, më i madhi në Ballkan, dhe kemi marrë çmimin 24,86 megavat/ora nga kompania më e madhe franzeve. Ky park do të prodhojë 140 megavat nga të cilat 70 mbeten në Shqipëri dhe 70 të tjera shiten në tregun e lirë.

“Do përfundojmë në fillim të javës tjetër procedurën për parkun e Spitallës. Kanë shprehur interes mbi 15 kompani, nga të cilat janë përzgjedhur 5 për të kaluar në fazën finale për të zgjedhur më të mirën”, – tha Balluku.

Gjithashtu theksoi ajo, “kemi nisur të bëhemi pjesë e ankandeve hibride me subvencion nga shteti, ku këto parqe eolike apo voltalike do të ndërtohen nga sipërmarrës të cilët e gjejnë vetë tokën me qira”.

“Pra nuk kemi pritur mandatin e tretë, por kemi nisur punën për diversifikimin e energjisë dhe kemi nisur ndërtimin e HEC-it të Skavicës, që ka gjetur zbatim në qeverisjen tonë dhe do të ndërtohet nga një kompani amerikane, “Bektel””.

Lidhur me atë që ka thënë PD se do të çojë në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen me Emiratet e Bashkuara për portin e Durrësit, ministrja tha se, “PD ka një fushatë propaganduese dhe nuk  mendohet gjatë se çfarë premton në publik, por ky nuk është problemi ynë”.

“Kemi bërë një marrëveshje me Emiratet e Bashkuara sipas rregullave të firmosur mes dy qeverive ku ndër të tjera parashikohet edhe nxitja e investimeve. Pjesë e marrëveshjes është edhe porti i Durrësit, dhe qeveria ka një masterplan për zhvillimin e portit komercial të Durrësit jashtë zonës urbane të Durrësit, duke e zhvilluar atë dhe kthyer në zonë që do të nxisë turizmin dhe do të sjellë zhvillim ekonomik të shtuar për qytetin e Durrësit”, tha ministrja Balluku.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.