70-vjetori i pushkatimit pa gjyq të 22 intelektualëve/ Meta: Demokracia duhet të mbrohet çdo ditë

TIRANË, 26 shkurt /ATSH/ Presidenti i Republikës Ilir Meta dha sot një mesazh në 70-vjetorin e pushkatimit pa gjyq të 22 intelektualëve, të ekzekutuar me akuzën e stisur të hedhjes së një bombe në ish-Legatën Sovjetike në Tiranë.

“Me akuzën e stisur të hedhjes së një bombe në ish-Legatën Sovjetike në Tiranë, sot mbushen 70 vjet nga dita kur 22 intelektualë të shquar, qytetarë të pafajshëm, të ndershëm dhe atdhetarë, të lidhur tok me tela me gjëmba, u ekzekutuan barbarisht me pushkatim, pa gjyq”, u shpreh Meta.

“Kjo masakër e llahtarshme, e kryer brenda një nate, simbol i terrorit ndaj mendimit ndryshe, është një nga krimet më të rënda shtetërore të atij sistemi, që kurrë nuk duhet të harrohen, për të mos lejuar më të tilla tragjedi të përsëriten në të ardhmen”, u shpreh Meta.

“Duke nderuar kujtimin e viktimave të pafajshme Sabiha Kasimati, Tefik Shehu, Pjetër Guraziu, Jonuz Kaceli, Anton Delhysa, Haki Kodra, Gafur Jegeni, Myftar Jegeni, Manush Peshkëpia, Reiz Selfo, Qemal Kasaruho, Zyhdi Herri, Gjon Temali, Petro Konomi, Niko Lezo, Pandeli Nova, Thoma Katundi, Mehmet Shkupi, Ali Qorralliu, Fadil Dizdari, Hekuran Troka dhe Lluka Rashkoviç, masakra e 26 shkurtit 1951, na kujton sot se demokracia duhet të mbrohet çdo ditë dhe me çdo sakrificë”, theksoi Meta.

“Sepse “një popull që fle në demokraci, rrezikon që një ditë të zgjohet në diktaturë”. Ndaj 25 prilli do të jetë dita e triumfit të Demokracisë dhe fuqisë së votës të çdo qytetari të Republikës”, tha Meta. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.