Varianti britanik i COVID-19/ Fico: Dyshime të arsyeshme nga rritja e numrit të infektimeve

TIRANË, 25 shkurt/ATSH/ Kemi dyshime të arsyeshme se varianti britanik i COVID, mund të ketë mbërritur në vendin tonë, por laboratori në Londër ende nuk ka dhënë përgjigje zyrtare.

Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico, gjatë daljes për mediet pas mbledhjes së Komitetit Teknik, tha sot se pritet një përgjigje nga laboratori në Londër. Ajo tha se ka dyshime të arsyeshme, duke parë dhe rritjen e infektimeve, por pritet një përgjigje zyrtare për të kuptuar nëse ka mbërritur apo jo.

“Ka një kohëzgjatje të caktuar analiza e mostrës, janë çuar në laboratorin numër një në botë dhe kontaktojmë me to. Ato kanë pyetjet e tyre për të marrë informacionet. Ajo gjë që askush nuk mund ta ndryshojë është se nuk ka prioritizim, me mutacion pa mutacion ne kemi shifrat, ku kemi një dyshim të arsyeshëm. Fakti që kemi një dinamikë moshore të re, një shtim të menjëhershëm të rasteve, janë të gjithë elementë. Me firmën e Anglisë dhe pa firmën e Anglisë kemi një dyshim të arsyeshëm. Ne duhet të marrim të mirëqenë faktin se virusi është këtu. E rëndësishme është përkujdesja e çdokujt dhe zbatimi i masave. Biznese tregtare dhe qytetarë jemi në një moment ku akoma kemi mundësi reale për të kthyer këtë faqe të historisë aty ku duhet”, – tha Fico.

Zv.ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli bëri me dije se kjo çështje është dhe në fokus të qeverisë. “Është një vëmendje shumë e madhe e jona. Po i ndjekim dhe kemi komunikime të rëndësishme me ISHP, por fatkeqësisht akoma nuk na kanë sjellë një përgjigje për të cilët jemi tejet shumë të interesuar, pasi do të kemi më të qartë mënyrën e përballimit”, – tha Rakacolli.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.