Ulje e shtrimeve ditore në spitalet Covid, piku u arrit në 15 shkurt me 140 shtrime

TIRANË, 25 shkurt /ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i Urgjencës Kombëtare Mjekësore, Skënder Brataj tha sot se, “nga data 17 shkurt dhe deri tani ka një ulje të numrit të pacientëve të shtruar në spitalet COVID, që ka zbritur poshtë numrit 100 duke na dhënë një optimizëm, për të thënë se ato masa që u morën para dy javësh, kanë dhënë efekt”.

Duke folur në mbledhjen e Komitetit Teknik të Ekspertëve për situatën e COVID-19, Brataj tha se, “pozitiv është kontrolli i indikatorëve të infeksionit, ku tregohet se ka një ulje të lehtë”.

“Nga 2500 thirrje që kemi pasur në 24 orë kemi shkuar në 2300. Më i rëndësishëm është numri i shtrimeve në spital, nga 44 që ishte në janar, duke u rritur deri në 100 shtrime, duke arritur maksimumin më datën 15 shkurt 140. Ka zbritur poshtë numrit 100 dhe shpreh një optimizëm që masat kanë dhënë një efekt”, tha ai.

Ai informoi se, “numri ditor i të shtruarve në spitalet COVID në të gjithë vendin nga 44 që ishte në datën 26 janar, në ditë, u rrit deri në datën 8 shkurt në numrin 100 shtrime, për të shënuar maksimunin në datën 15 shkurt në shifrën 119”.

“Nuk ka një rritje progresive si të thirrjeve për ndihmë, të vizitave në banesë dhe sidomos shtrimeve në spitale”, tha ai.

Brataj konfirmoi se, “situata është nën kontroll, monitorimi është i përditshëm dhe ne kemi të dhënat bazë të këtyre shifrave që janë 648 persona të shtuar në spitalet covid.

“Hapja e spitaleve rajonale ndihmoi në shpërndarjen e pacientëve dhe plani strategjik për spitalet e tjerë rajonale ndihmoi në përballimin e situatës. Pandemia vazhdon të jetë më e përhapur në Tiranë, Fier Durrës, Vlorë, Elbasan, Shkodër, Lezhë, Berat, Korçë, Gjirokastër, Kukës dhe Dibër sipas numrave të personave të ekzaminuar pozitiv”, tha ai.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.