Tomini: Askush nuk mund të tjetërsojë numrin e të vdekurve nga COVID-19

TIRANË, 25 shkurt/ATSH/ Zv/ministrja e Shëndetësisë, Eugena Tomini komentoi sot deklaratën e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili në një takim të ditës së sotme me mjekë tha se, “numri mesatar i vdekjeve në Shqipëri është mbi 6 mijë, shumëfish më i lartë se shifra që raportohet”.

Tomini tha se, “askush në bazë të parimeve humane dhe të përgjegjshme përpara ligjit nuk mund të tjetërsojë numrin e të vdekurve”.

“Sigurisht rivlerësimi i vlerave apo i rasteve përkundrejt numrit të rasteve të vdekjeve, kërkon një periudhë më të qetë rigjykimi apo rivlerësimi. Absolutisht rastet e deklaruara janë rastet e konfirmuara nga mjekët e klinikës, përkatësisht të spitaleve COVID dhe spitaleve rajonalë”, tha ajo.

Tomini tha se, “vërtetësinë e të dhënave e mbart vetëm raportimi klinik. Absolutisht asnjë raportim i dyzuar apo tjetërsuar nuk mund të vlerësojë numrin e rasteve të vdekjeve. Askush në bazë të parimeve humane dhe të përgjegjshme përpara ligjit nuk mund të tjetërsojë numrin e të vdekurve. Numri i vdekjeve është realisht ai i raportuar me përgjegjësi të plotë nga mjekët specialit të spitaleve rajonale, aktualisht të hapura dhe spitaleve COVID-19”.

/m.m//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.