Privatizimi/ Rama: Shpërfytyrimi i pushtetit ekzekutiv në një makineri përfitimesh financiare zhduku kompleksin sportiv “Partizani”

TIRANË, 25 shkurt/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ka publikuar këtë mëngjes, dokumentarin e tretë investigativ mbi privatizimin e kompleksit “Partizani”, privatizim të cilin e cilësoi “zhdukjen e kompleksit sportiv Partizani, nga shpërfytyrimi i pushtetit ekzekutiv në një makineri përfitimesh financiare”.

“Mirëmëngjes me serinë e tretë të dokumentarit investigativ mbi keqbërjen marramendëse që zhduku kompleksin sportiv Partizani, ku mbetesh pa frymë nga shpërfytyrimi i pushtetit ekzekutiv në një makineri përfitimesh financiare”,- theksoi Rama.

Sipas investigimit të Report TV thuhet se Jamarbër Malltezi është investitor me 11.5 mln euro i tre kullave të tjera në ish-Kompleksin Partizani! Cila është origjina e parave?

“Në tetor 2006 Argita Berisha deklaroi në një intervistë televizive se ajo dhe bashkëshorti Jamarbër Malltezi kishin gjendje në bankë vetëm 39.500 dollarë dhe 2000 euro. Ne datën 8.10.2008 Jamarbër Malltezi firmosi një marrëveshje duke marrë përsipër 35% të ndërtimit të 17 kullave te kompleksit Magnet që kushton dhjetëra milionë euro. Në 2020 ka filluar edhe 3 kulla të tjera ku mbulon 50% të investimit. Kjo pjesë e tretë e investigimit që tregon për herë të parë llogaritë financiare të Jamarbër Malltezit dhe dokumente sekrete që tregojnë se si dhëndri i ish-kryeministrit siguron pasuri imobiliare me vlerë miliardash, pa pasur zyrtarisht një disponibilitet financiar që mund t’i justifikojë”, thuhet në investigim. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.