Pandemia/ Vasili: Shqiptarët presin ndihmë në rimbursimin e barnave

TIRANË, 25 shkurt/ATSH/ Kryetari i Lëvizjes Socailiste për Integrim, Petrit Vasili u shpreh sot se shqiptarët presin ndihmë ekonomike të drejtpërdrejtë për rimbursimin e barnave dhe shërbimeve shëndetësore të mijëra qytetarëve që trajtohen në banesat e tyre dhe janë të infektuar me Covid-19.

Duke reaguar ndaj Komitetit teknik të ekspertëve, vasili tha se, “qytetarët nuk kanë nevojë për fjalë boshe,  dhe njëkohësisht nuk kanë nevojë më për masa shtrënguese apo kufizime qartësisht politike dhe elektorale. Janë masa shtrënguese politike dhe elektorale, pasi efekti i tyre ka qenë pothuajse zero”.

“Shqipëria është një vend ku shifrat e pandemisë kanë njohur vetëm rritje dhe nuk kanë pasur kurrë, ashtu sikurse gjithë vendet e tjera, të cilat kanë marrë masa të zgjuara, shkencore, të koordinuara, pra jo vetëm mbyllje, por të gjithë masat e tjera, bazuar në trinomin testim – gjurmim – trajtim dhe masa të tjera suplementare shumë të rëndësishme, të cilat kanë dhënë efekt”, tha Vasili.

E kundërta, sipas tij, ka ndodhur në Shqipëri.

“Ndërkohë që qeveria raporton se situata është nën kontroll, një shprehje e çmendur që po dëmton shqiptarët në mënyrë katastrofike, Shqipëria shënon në shtatë ditët e fundit mesataren javore më të lartë të vdekjeve, 16.5 vdekje në ditë, sipas vdekjeve të deklaruara nga qeveria, kur dihet më së miri që edhe këtu ka një problem shumë të madh serioz midis raportimit të tyre. Vetëm dje ka pasur 19 vdekje dhe mbi 1 mijë të infektuar të rinj, të deklaruar. Të infektuarit e vërtetë janë shumë më tepër”, – u shpreh Vasili.

“Shqiptarët presin ndihmë ekonomike të drejtpërdrejtë për rimbursimin e barnave dhe shërbimeve shëndetësore, të mijëra qytetarëve që trajtohen në banesat e tyre dhe janë të infektuar me Covid-19. Janë më mijëra shqiptarë, të cilët harxhojnë qindra-mijëra deri në miliona lekë për trajtimin bazal për Covid-in, e për fat të keq, ka edhe qindra të tjerë që nuk e marrin dot as këtë mjekim bazik, sepse mundësitë e tyre ekonomike janë krejtësisht të pamundura, janë absolute, janë në një varfëri që nuk i krijon mundësinë as edhe të kurohen”, – theksoi Vasili. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.