Një skandal korrupsioni përfshin qeverinë japoneze

TOKIO, 25 shkurt /ATSH-ANSA/ – Lista e politikanëve japonezë të përfshirë në skandalin më të fundit korruptiv që ka prekur qeverinë japoneze, përfshin indirekt edhe kryeministrin Yoshihide Suga, përmes përfshirjes së djalit të tij të madh, Seigo.

Një hetim i brendshëm, i kryer nga Ministria japoneze e Telekomunikacionit, gjeti parregullsi në sjelljen e 13 zyrtarëve publikë, fajtorë për pranimin e ftesave për darka në restorante luksoze nga kompania e telekomunikacionit ”Tohokushinsha”, e cila operon me licencë të ministrisë, ku punon edhe djali i Suga-s.

Pjesëmarrëse në këto festa ishte edhe Makiko Yamada, menaxhere e marrëdhënieve me publikun në qeveri, e cila në atë kohë ishte zëvendësministre për Koordinimin e Projekteve Telekomunikuese të ministrisë si edhe një nga gratë e pakta me të tilla përgjegjësi në Japoni.

Në një nga darkat ku morën pjesë Yamada, presidenti i kompanisë ”Tohokushinsha” dhe i biri i Suga, zbulon gazeta ”Asahi Shimbun”, fatura u pagua prej kompanisë me një vlerë prej 74 000 jenësh ose ekuivalenti i 570 eurove për person.

Kodi i Etikës i administratës publike japoneze ndalon zyrtarët e lartë të pranojnë ftesa ose dhurata nga individët dhe kompanitë, në mënyrë që të sigurojnë paanshmërinë e administratës. /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.