NASA publikon një foto panoramike nga Marsi

UASHINGTON, 25 shkurt /ATSH-AFP/ – NASA publikoi sot një foto spektakolare panoramike nga Marsi, marrë nga Perseverance në zonën ku roveri mbërriti javën e kaluar.

Fotoja, e rindërtuar nga disa fotografi të marra nga automjeti, tregon kreshtën e kraterit Jezero, që sipas shkencëtarëve përmbante një liqen të thellë në të cilin derdhej një lumë rreth 3,5 miliardë vjet më parë.

Roveri ka realizuar 142 shkrepje me 360 gradë me aparatet me definicion të lartë të instaluar në pjesët e tij.

“Ne jemi vendosur në një vend shumë të mirë, nga ku mund të shohim karakteristika shumë të ngjashme me ato të gjetura nga Spirit, Opportunity dhe Curiosity (tre roverat që kanë paraprirë Perseverance në planetin e kuq) në zonën e tyre të uljes”, theksoi Jim Bell i Universiteti i Arizonës.

Agjencia hapësinore amerikane ka si qëllim të gjejë gjurmë të jetës antike në planetin e kuq duke mbledhur përgjatë të paktën dy viteve deri në tridhjetë mostra shkëmbinjsh.

Kamerat e Perseverance  do të ndihmojnë shkencëtarët të përcaktojnë historinë gjeologjike dhe kushtet atmosferike të kraterit dhe të identifikojnë shkëmbinjtë dhe sedimentet që do të mblidhen para se të transportohen në Tokë në një mision të ardhshëm, të planifikuar në vitet 2030./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.