Meta vlerëson katër futbollistë të shquar të “Dinamos” dhe të ekipit Kombëtar

TIRANË, 25 shkurt /ATSH/ Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi sot me anë të një ceremonie solemne, katër futbollistë të shquar të ekipit “Dinamo” dhe atij Kombëtar shqiptar.

Kreu i Shtetit i akordoi ish-futbollistit dhe trajnerit Skënder Jareci (pas vdekjes) titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” “Për kontributin e madh në zhvillimin e sportit, si një nga qendërsulmuesit më të mirë të historisë të futbollit shqiptar. Trajner strateg në drejtimin e skuadrës ‘Dinamo’ me metodat bashkëkohore, duke përgatitur breza lojtarësh cilësorë me rezultate të shkëlqyera në veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare.”

Ndërsa me titullin “Mjeshtër i Madh” u çmuan: Vasillaq Zëri (pas vdekjes), me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për kontributin e madh në zhvillimin e sportit, si një nga futbollistët më të shquar të ekipit ‘Dinamo’ dhe atij Kombëtar. I dalluar për talentin dhe aftësitë e tij të shkëlqyera: ‘legjendë’ e futbollit shqiptar, sportist model, burim frymëzimi për të gjithë futbollistët e rinj.”

Gani Xhafa, me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për punën e palodhur dhe rezultatet e larta në futboll me ekipin ‘Dinamo’ dhe atë Kombëtar, si dhe në veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare. Trajner i përkushtuar në zhvillimin cilësor të këtij lloj sporti.”

Andrea Marko, me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për pasionin dhe karrierën e suksesshme si futbollist e trajner. I dalluar për cilësitë e shquara dhe kontributin e çmuar në sukseset e ekipeve ‘Dinamo’ dhe ekipit Kombëtar. Mesfushor plot fantazi, pasion e golashënues i spikatur.”

Në fjalën e tij, Meta duke iu drejtuar sportistëve kampionë të futbollit, trajnerëve e veteranëve të sportit më të dashur të shqiptarëve, miqve dhe familjarëve të tyre, drejtuesve të Federatës Shqiptare të Futbollit e gazetarëve sportivë, u shpreh se, “kam kënaqësinë sot së bashku me ju të nderoj disa nga futbollistët e mëdhenj, ikona të ekipit ‘Dinamo’ dhe të ekipeve tona Kombëtare”.

“Ata janë një pjesë e rëndësishme e historisë së futbollit, e sportit më popullor dhe të dashur të shqiptarëve. Këto personalitete, që vlerësojmë sot, janë të njohur nga i gjithë opinioni sportiv dhe nga gjenerata të ndryshme, pasi me sukseset e tyre, kanë arritur rezultate të shkëlqyera dhe na kanë bërë të ndjehemi krenarë”, tha Meta.

“Përveç karrierës së suksesshme, gëzimi dhe emocionet që ata i kanë dhënë bashkëqytetarëve tanë, janë më të rëndësishme edhe se vetë trofetë e medaljet e fituara”, u shpreh Meta.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.