Mbrojtja e mjedisit/ Bici: Kemi vendosur rreth 90 milionë lekë gjoba dhe një sërë procedimesh

TIRANË, 25 shkurt/ATSH/ Me iniciativë të zyrës së OSBE në Shqipëri është zhvilluar sot një takim dedikuar mbrojtjes mjedisore, ku e pranishme me fjalën e saj ka qenë edhe kryeinspektorja e IKMT-së, Dallëndyshe Bici.

Në fjalën e saj, Bici bëri një përmbledhje të punës së IKMT-së në drejtim të luftës ndaj krimit mjedisor.

Megjithëse për një kohë të shkurtër nga kalimi i kompetencave dhe në një periudhë të vështirë, u shpreh ajo, “IKMT ka vepruar me vendosmëri ndaj gjithë subjekteve të konsideruara ligjërisht në shkelje duke i gjobitur me rreth 90 milionë lekë e duke nisur procedurat ligjore për një sërë prej tyre”.

Sipas kryeinspektores, IKMT do të vijojë betejën e saj në mbrojtje të mjedisit, duke u mbështetur fort edhe tek bashkëpunimi me qytetarët, me shoqatat e ndryshme dhe me të gjithë ata që janë të interesuar për mbrojtjen e mjedisit.

Në takim foli edhe zëvendëskryetarja e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Clarisse Pasztory, e cila theksoi mbështetjen e Prezencës në angazhimin e organizatave të shoqërisë civile për të ngritur dhe për të forcuar një dialog konstruktiv mes aktorëve të ndryshëm mjedisorë dhe agjencive mjedisore kombëtare, si inspektoratet, për të përmirësuar bashkërendimin dhe mirëqeverisjen mjedisore.

Takimi shërbeu edhe për planifikimin e punës për vitin 2021 dhe për rritjen e bashkëpunimit me agjencitë ligjzbatuese mjedisore.

/m.m//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.