LONDËR – BM: KB të votojë rezolutën për vaksina më të arritshme

LONDËR, 25 shkurt /ATSH-AFP/ – Britania e Madhe i kërkoi sot Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që të votojë për një rezolutë të kushtuar imunizimit në vendet në konflikt dhe krizë, duke kërkuar solidaritet, drejtësi dhe armëpushime për të luftuar më mirë pandeminë COVID-19, sipas diplomatëve.

Rezultati i votimit, që zhvillohet me shkrim gjatë 24 orëve, për shkak të kufizimeve në takimet fizike të Këshillit, do të bëhen të ditura të premten.

Sipas të njëjtave burime, negociatat, të cilat zgjatën gati një javë, u ngadalësuan nga Rusia dhe Kina, dy vende që aktualisht kanë marrëdhënie të tensionuara me Britaninë e Madhe.

Në draft-tekst, Këshilli i Sigurimit nënvizon “nevojën urgjente për solidaritet, barazi dhe efikasitet dhe nxit dhurimin e dozave të vaksinave nga ekonomitë e zhvilluara dhe të gjithë ata që janë në gjendje ta bëjnë atë, me të ardhura të ulëta dhe të mesme, drejt vendeve në nevojë, për të pasur një qasje të barabartë në produktet shëndetësore kundër COVID-19″.

Sipas diplomatëve britanikë, objektivi është të arrihen 160 milionë persona, që jetojnë në vende në konflikt, krizë dhe postkonflikt, me një tekst që flet për armëpushim, qasje të lirë për punonjësit humanitarë, financim për marrjen e vaksinave dhe shpërndarjen e tyre./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.