“Koalicioni i PD nuk sjell asnjë ndryshim”/ Topalli: Sondazhet tregojnë mosbesimin absolut ndaj Bashës

TIRANË, 25 shkurt /ATSH/ Kryetarja e Lëvizjes për Ndryshim, Jozefina Topalli deklaroi sot se regjistrimi në KQZ i “Aleancës për Ndryshim” nuk është asgjë e re dhe nuk do të sjellë asnjë ndryshim.

“Pavarësisht se kush janë ato që bëjnë sondazhe, kanë të përbashkët një gjë, pakënaqësi në rritje ndaj Edi Ramës dhe mosbesimin absolut ndaj Lulzim Bashës. Mirëpo sondazhet janë mesazh për politikën shqiptare. Dhe fakti që mungon një besim absolut ndaj Lulzim Bashës tregon që ai duhet të ndryshojë”, u shpreh Topalli në një intervistë televizive.

“Fakti që qoftë në mënyrën e zgjedhjes, qoftë në emrat që ka përzgjedhur, qoftë në koaliconet e djeshme nuk ka asnjë gjë të re nga ato që kemi parë gjatë tre dekadave, kjo tregon se nuk ka asnjë reflektim, nuk ka asnjë vullnet politik”, tha Topalli.

“Në politikën shqiptare midis tre kryetarëve asnjëri nuk ka asnjë shenjë, asnjë mundësi për të ndryshuar. Nuk ndryshojnë raportet që kanë me oligarkët. Nuk ndryshojnë asgjë në sjelljen politike. Nuk ndryshon asgjë në lidhje me korrupsionin dhe me njerëzit që janë të njëhësuar me korrupsionin”, tha ajo.

Topalli theksoi se, “nëse do të vijë ndryshimi në Shqipëri do të vijë nga lëvizjet e reja”, tha Topalli.

E pyetur se më cilat parti është e gatshme të bashkëpunojë pas zgjedhjeve të 25 prillit, Topalli tha se, “unë jam e djathtë dhe një ndër arsyet për të cilat kam krijuar Lëvizjen për Ndryshim, bashkë me një grup të rinjsh është protesta ime ndaj zhdukjes së të djathtës shqiptare. Unë kur kam hyrë në politikë, kam pasur ëndrra të mëdha si shumica e shqiptarëve. Kam hyrë në një parti se besoja se ajo do ndryshonte vendin dhe në fakt ka sjellë ndryshime të shumta. Por në vitet e fundit ajo është reduktuar vetëm tek axhenda ekonomike e kryetarit dhe familjes së tij. Natyrisht mua në këtë pikë nuk më bashkon asgjë më me atë që dikur ishte përpjekja, jeta ëndrra ime dhe e gjithë shqiptarëve”. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.