Fluks kërkesash nga fermerët për naftën pa taksa/ MBZHR shtyn afatin e aplikimit deri në fund të marsit

TIRANË, 25 shkurt /ATSH/ Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka vendosur të shtyjë afatin e aplikimit të fermerëve në skemën e mbështetjes për naftën pa taksa. Vendimi u mor pas konstatimit të fluksit të madh të kërkesave në zyrat e AREB-eve nga fermerë në mbarë vendin.

Aplikimet për skemën e mbështetjes me naftë pa taksa nisën më 15 janar të këtij viti e deri më tani  në portalin e-Albania janë regjistruar 15120 fermerë.

Paralelisht me këtë proces, ka nisur dhe shpërndarja e kartave të para të naftës. Vetë ministrja e Bujqësisë, Milva Ekonomi i dorëzoi kartën e parë të naftës aplikuesit të parë në skemën mbështetëse për naftë falas, fermerit Kujtim Lamthi nga Gruemira e Malësisë së Madhe. Gjatë ditëve në vazhdim, krahas aplikimeve në zyrat e AREB-eve, të fermerëve të regjistruar me NIPT, do të vijojë dhe shpërndarja e kartës së naftës, për fermerët që kanë dorëzuar tashmë dokumentacionin e tyre në zyrat e aplikimit dhe njëkohësisht kanë kryer dhe aplikimin në portalin e-Albania.

Procesi i aplikimit online në portalin e-Albania për fermerët e regjistruar me NIPT bëhet përmes kartës së identitetit dhe pas aktivizimit nga Tatimet ata duhet të vetëdeklarojnë dokumentat që disponojnë.

Ministria e Bujqësisë verifikon përputhshmërinë e dokumentave të deklaruara nga fermeri  me ato që ka depozituar. Më pas, fermeri duhet të shkojë pranë agjencive të Ekstensionit Bujqësor (AREB), ose Agropikave për t’u pajisur me kartën e naftës falas të cilën e tërheq në një pikë karburanti. Në ndihmë të fermerëve janë dhe zyrat e AREB-eve dhe Agropikave. Po ashtu është dhe një numër jeshil 08008383 në faqen e ministrisë ku mund të kërkohet informacioni i nevojshëm.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.