Denaj: Angazhimi i Shqipërisë drejt BE-së është më i fortë se kurrë

TIRANË, 25 shkurt /ATSH/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj mori pjesë në takimin përmbyllës dypalësh me Barbara Bianki dhe Mario Mariani, përfaqësuesit e lartë të Misionit Vlerësues për Programin e Reformës Ekonomike 2021-2023.

Përtej sfidave të pandemisë Covid-19, procesi i hartimit të programit 3-vjeçar u përmbyll në kohë dhe me standarde.

“Angazhimi i Shqipërisë drejt BE-së është më i fortë se kurrë më parë”, u shpreh Denaj.

Ajo theksoi se programi i Reformës Ekonomike është një element që kontribuon në këtë ambicie gjithëpërfshirëse.

“Sidoqoftë, një nga aspektet më të rëndësishme është dialogu me Komisionin Evropian por edhe me shtetet anëtare të BE-së për të paraqitur: Strukturën makroekonomike dhe fiskale të Shqipërisë, Axhendën e reformave strukturore të cilat janë prioritare për një periudhë afatshkurtër”, tha ministrja Denaj.

Në takimin virtual morën pjesë edhe përfaqësues të tjerë të Qeverisë shqiptare, si dhe përfaqësues nga banka e Shqipërisë.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.