COVID-19/ Basha: Prioriteti i qeverisë propaganda e fshehja e fakteve, Komiteti përdoret si fasadë

TIRANË, 25 shkurt /ATSH/ Kryetari i PD, Lulzim Basha, deklaroi sot në një takim me mjekët se, konstatohet një përkeqësim i ndjeshëm i krizës së thellë sa i përket COVID-19.

“Rritja dramatike e shifrave të të infektuarve, numrit të viktimave të raportuara zyrtarisht si dhe gjendja e përgjithshme e shoqërisë, familjeve të pacientëve, gjendjes së tyre ekonomike, personelit shëndetësor, mjekëve, infermierëve në tërësi, të gjithë zinxhirit shëndetësor, ka arritur në një pikë që do ta konsideroja më të keqen që nga fillimi i krizës së pandemisë”, u shpreh Basha.

“Nuk ka pikë diskutimi që numri real i të infektuarve është shumë më i lartë sesa ai që raportohet”, theksoi Basha.

Basha nënvizoi se, “fshehja e fakteve ёshtё bёrё me qëllim pёr tё fshehur dështimin total nё marrjen e masave adekuate”.

Basha shtoi gjithashtu se, “nuk mund të lë anash krizën financiare që ka shkaktuar kjo sjellje, ky keq menaxhim nga qeveria dhe kryeministri, i kësaj pandemie duke zhytur familjet shqiptare në borxh”.

“Propozimi ynë i Shtatorit për rimbursimin e plotë të pacientëve që kurohen në mënyrë ambulatore pra në shtëpi që gjoja u adoptua me vendim të këshillit të ministrave, nuk ka dhënë rezultat. Shumica dërrmuese e shqiptarëve po zhyten në borxh për të kuruar të afërmit e tyre në kushtet ku spitalet janë mbushur plot dhe prandaj Tirana është shndërruar në vetvete në një spital të madh”, tha Basha.

Basha tha se Shqipëria është i vetmi vend që ende nuk ka të dhëna nëse ka mutacion të Covid apo jo.

“Nuk ka asnjë informacion sa testime po  bëhet nga ISHP e sa nga privati. Vetëm Shqipëria nuk jep informacion zyrtar nëse ka mutacion që qarkullon apo jo. Të gjithë vendet e tjera e kanë bërë. Kjo sepse prej 1 viti i vetmi prioritet i Ramës është propaganda dhe fshehja e shifrave, sepse atij nuk i interesojnë qytetarët. Shumica dërrmuese e shqiptarëve po zhyten në borxh për të kuruar të afërmit e tyre”, tha Basha.

“Sistemi i rimbursimeve që në konceptim nuk kishte të bënte fare me atë që propozuam ne. Është i cunguar, është i pa mjaftueshëm në letër ndërsa në efekt të gjithë e dinë që nuk po funksionon”, theksoi Basha.

Basha tha se po të ishte në këtë situatë, “të gjitha financat e shtetit do t’i vija në funksion të kësaj krize dhe asgjë tjetër nuk do të merrte asnjë financim se nuk ka gjë më të rëndësishme se shëndeti, se jeta dhe se xhepat e shqiptarëve”.

“Së dyti, dhe paralelisht me këtë, armatosja e të vetmes ushtri kundër kësaj të keqeje që është personeli shëndetësor dhe infrastruktura shëndetësore të cilët janë të braktisur dhe tani i ka futur edhe në frike qytetarët, të dali dhe të bëjë cirk ndërkohë që qytetarët dhe mjekët kacafyten për shkak se i ka braktisur dhe i ka lënë në mëshirë të fatit”, tha Basha.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.