Brataj: Masat antikovid efekte pozitive, ulje e lehtë e numrit të të infektuarve

TIRANË, 25 shkurt/ATSH/ Drejtori i Urgjencës Kombëtare Mjekësore, Skënder Brataj deklaroi sot se, “masat antikovid kanë dhënë efekte pozitive gjatë ditëve të fundit, ku kemi parë një ulje të lehtë të numrit të të infektuarve”.

Në një intervistë televizive, Brataj tha se, “përpara një jave mendohej një ashpërsim i masave, por ulja e lehtë e shifrave ka sjellë vendimin për lënien në fuqi të kufizimeve aktuale”.

“Marrja e masave bëhet sipas kushteve epidemiologjike të infeksionit. Në fillimin e javës së parë pati një rritje të infektimeve e viktimave nga COVID. Rezultatet e një mase do japin efekt pas dy apo tre jave. Numri i të infektuarve është i qëndrueshëm. Janë tregues stabël. Ato masa që morëm përpara dy javësh ka dhënë rezultatin e vetë. Janë masa që vendosen të vazhdojnë, por nuk përjashtohet që monitorimi të ndryshojë për masat që paraqiten”, tha ai.

Brataj theksoi se, “përpara 4-5 ditësh u pa që mund të kishim një shtrëngim të masave por me ditët e fundit kemi parë një ulje të lehtë të numrit të të infektuarve”.

“Kjo masë e fundit do japë akoma më shumë rezultate. Ne kishim nga data 6 shkurt mbi 1100 të infektuar, ndërsa tani kemi tek 1020. Janë disa ditë që tregojnë një ulje. Lidhur me shtrimet në spital, në fillim të javës kemi pasur plus 40 ndërsa këto ditë kemi pasur minus 8 që do të thotë më shumë kanë dalë se sa janë shtruar”, tha Brataj.

Lidhur me çështjen se si do të votojnë në 25 prill personat e infektuar me COVID, Brataj tha se mund të ndjekim modelet e vendeve të tjera që kanë realizuar zgjedhje.

“Që nga data 26 janar, ka pasur rritje të shtrimeve në spitale por këto ditët e fundit kemi pasur ulje. Kontrollet kanë qenë më rigoroze, policia ka qenë më e rreptë. Për fatin e mirë, janë dhe dy muaj kohë nga zgjedhjet. Vendet e tjera kemi pasur modele se si votojnë ata që janë të infektuar. Ka shtete që i kanë bërë dhe ka pasur modele të mira. Nuk shqetësohemi për këtë tani. Duhen respektuar masat antikovid. Duhet të jemi të kujdesshëm këto dy muaj, vera do të na ndihmojë plus kemi dhe procesin e vaksinimit në vijim. E mira është që ta kalosh virusin kur është më i dobët. Vendet e tjera na kanë treguar që infeksioni ka rënë tek bluzat e bardha”, tha Brataj.

/m.m//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.