Basha: Misioni ynë mirëqenia e të gjithë shqiptarëve, prioritet të rinjtë

TIRANË, 25 shkurt/ATSH/ Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha vizitoi mëngjesin e kësaj të enjte një biznes të prodhimit e përpunimit të metaleve në Durrës. Në bashkëbisedimin me administratorin e biznesit, ky i fundit i rrëfeu Bashës problematikat që ka biznesi i tij.

Gjatë bashkëbisedimit administratori u shpreh se ka mungesë të forcës punëtore, pasi ata që punojnë e trajnohen tek punishtja, më tej largohen në Itali apo në vende të ndryshme europiane.

Basha premtoj se do bëhet e pamundura që të rinjtë e të reja të jetojnë dhe punojnë këtu në Shqipëri. “Do të bëjmë çdo gjë që të punoni dhe të rrini këtu. Kanë ikur me dhjetëra me qindra, të tjerë që janë kualifikuar. Me 25 prill ne do e ndryshojmë. Duhet standard europian. Sfida është që t’iu mbajmë këtu, të mos na ikni”, – tha Basha.

“Shoqëria nuk ecën përpara nëse gjithsecili nuk bën punën e vet. Ka tetë vite që qeveria nuk bën detyrën, siç ka ngecur linja jote ka ngecur dhe ekonomia shqiptare. Përveç disa ortakëve të Ramës që nuk kanë falimentuar por janë sheikë, e hanë në restorantet e sheikëve. Doli dje nga injoranca, ose nuk e di dhe tha që bursa funksionon. Faturën e korrupsionit të Ramës e paguan ti, sepse ke kosto të tjera. E para, është vënia reale në punë e energjisë. Do bëj gjërat që bën Maqedonia e Veriut për biznesin. Ti e bën detyrën tënde, këtë duhet të bëjë dhe shteti. Kryeministri dhe një grusht pushtetarësh janë bërë ortak me një grup oligarkësh. Kjo zgjidhet fare thjesht duke pasur një qeveri që merr përgjegjësitë e veta. Në raport me energjinë është liberalizimi i tregut. Është turp që në 2021 biznese si i yti kanë gjenerator. Pas 25 prillit iu garantoj që do të jetë një qeveri në krahun tuaj”, tha Basha.

Basha tha se “1 në 2 biznese prodhuese shqiptare përdorin gjeneratorë. Ndërprerjet e energjisë është kosto shtesë për bizneset. E kemi evidentuar energjinë si problem kryesor në program. Mbi 70 % e familjeve nuk e paguajnë dot energjinë. Ka 8 vjet që qeveria nuk bën detyrën e vet”, – u shpreh Basha.

“Nuk premtoj të bëj ato që bën Gjermania. Mjafton të bëjmë sa ç’bën Maqedonia”, – theksoi Basha. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.