Ambasadorja Kim takon Bashën: SHBA pret kandidatë të pastër nga të gjitha partitë

TIRANË, 25 shkurt/ATSH/ Ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim ka zhvilluar të enjten një takim me kreun e PD-së Lulzim Basha.

Ambasadorja Kim u shpreh në fundit të takimit se u informua mbi programin zgjedhor të PD dhe partnerëve, ndërsa ritheksoi rëndësinë e kandidatëve të pastër.

“Sot pata një takim të shkëlqyer me Lulzim Bashën. E lumtur të dëgjoja programin zgjedhor të PD dhe partnerëve. Unë nënvizova pritjet e SHBA për kandidatë të pastër nga të gjitha partitë. Ne gjithmonë do të jemi të përkushtuar në marrëdhënie të forta mes SHBA-ve dhe Shqipërisë, me respekt për vendimin e votuesve më 25 prill”, u shpreh ambasadorja amerikane.​

Edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u shpreh në lidhje me takimin me ambasadoren e SHBA, Yuri Kim.

“Kënaqësi e veçantë të takohesha sot me ambasadoren e ShBA-ve, znj. Yuri Kim. Ndava me të planin e Partisë Demokratike për Shqipërinë dhe nevojën për mbështetjen dhe bashkëpunimin e fortë  amerikan, për të përshpejtuar zhvillimim ekonomik, tërhequr investimet amerikane dhe fuqizuar luftën kundër krimit dhe korrupsionit”, u shpreh Basha për takimin.

Mbrëmjen e djeshme, PD mbylli marrëveshjen me aleatët për të dalë me lista të përbashkëta në zgjedhje. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.