Zgjidhje e problematikës tek rrethrrotullimi i TEG/ ARRSH nis punën për ndërtimin e një nënkalimi

TIRANË, 24 shkurt /ATSH/ Autoriteti Rrugor Shqiptar ka nisur punën për ndërtimin e një nënkalimi që do të zgjidhë problematikën e rrethrrotullimit tek TEG.

Drejtori i projekteve të ARRSH, Erald Elezi ka shpjeguar në një intervistë televizive detajet, si do të zgjidhet problemi i rrethrrotullimit.

“Kemi pasur goxha shqetësime për fluksin e trafikut që na kalonte në këtë nyje dhe numrin e aksidenteve që realizoheshin për shkak të zgjidhjes që mund ta quaj provizore siç ishte zgjidhja që është aktuale nëpërmjet një rrethrrotullimi”.

“Është hartuar dhe zhvilluar projekti për ndërtimin tashmë të një nënkalimi pranë kësaj nyje”, tha ai.

“Nënkalim nënkupton që fluksi më i madh i trafikut që ne presim, që është fluksi që na shkon drejt jugut dhe lindjes së vendit, drejt rrugës Tiranë-Elbasan, të futet në një vepër në disnivel në nënkalim, në mënyrë që të jetë lëvizje e pandërprerë e trafikut”, u shpreh drejtori i projekteve në ARRSH, Erald Elezi.

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka nisur punën për zbatimin e projektit, vlera e të cilit shkon 1 miliard e 680 milionë, ose e thënë ndryshe rreth 13.7 mln euro.

Fillimisht punimet janë fokusuar në menaxhimin e trafikut duke vendosur sinjalistikën e nevojshme pasi janë reduktuar nga 3 në 2 korsitë ekzistuese.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.