Sonda kineze me destinacion Marsin ”parkon” në orbitë

PEKIN, 24 shkurt /ATSH-DPA/ – Pas disa manovrash, sonda kineze e nisur drejt Marsit ”Tianwen-1” arriti pozicionin e saj të fundit të parkimit në orbitën e Planetit të Kuq.

”Anija kozmike është në rrugën e duhur për t’u ulur në Mars në rreth tre muaj”, njoftoi Administrata Hapësinore e Pekinit.

Deri atëherë, anija kozmike do të përdorë kamerat për të parë nga afër topografinë dhe kushtet e tjera të zonës së uljes.

Me uljen e saj të parë në Mars, fuqia e re hapësinore botërore dëshiron të arrijë SHBA, të cilat tashmë kanë dërguar disa pajisje kërkimore për të eksploruar planetin.

Pekini ka zgjeruar vazhdimisht programin e tij hapësinor gjatë viteve të fundit dhe ka planifikuar misione për dekada në të ardhmen.

Në vitin 2019, Kina u bë vendi i parë që zbarkoi një objekt në anën e errët të Hënës. /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.