Shpërthimi në Gërdec/ Braçe: Mos harroni, Meta, Berisha, Kryemadhi e Basha i kanë shpallur luftë drejtësisë

TIRANË, 24 shkurt/ATSH/ Zëvendës Kryeministri Erion Braçe, ka publikuar mbrëmjen e të mërkurës videon e shpërthimit të ndodhur në Gërdec, ngjarje e ndodhur në 15 mars 2008 dhe ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën mbi 100 të tjerë, duke theksuar se Ilir Meta e Sali Berisha, Lulzim Basha e Monika Kryemadhi, ju premtojnë para por kurrë drejtësi.

“Ca para më shumë nuk të bëjnë të barabartë! Drejtësia poo! Ilir Meta e Sali Berisha, Lylzim Basha e Monika Kryemadhi, ju premtojnë para por kurrë drejtësi! Dëgjojeni zhurmën e këtij shpërthimi! dëgjojeni edhe një herë! Tani mbyllni sytë e sillni në mend se nga ky shpërthim në Gërdec u vranë fëmijë, gra, madje gra me fëmijë në bark! Askush nuk mori përgjegjësi, askush nuk mbajti përgjegjësi, askush nuk u gjykua, askush nuk u dënua!”,- shprehet Braçe.

“10 lekë më shumë apo 10 lekë më pak nga tatimi për shumicën (pakica ka regjim favoresh në milionë euro), nuk e shuan pabarazinë në të ardhura e pasuri! Do jetë luftë e gjatë! Por barazinë para drejtësisë e kemi vetë në dorë! Pa 10 lekë më shume natyrisht që do rrosh, siç ke jetuar por do rrosh! Pa drejtësi nuk do jesh kurrë qytetar me të drejta kushtetuese e të garantuara; Do shtypesh, do vidhesh, do grabitesh, do poshtërohesh, do shitesh, as do dëgjohesh! Nuk do jesh kurrë i barabartë!”,- tha Braçe.

“Ilir Meta e Sali Berisha, Lulzim Basha e Monika Kryemadhi i kanë shpallur luftë drejtësisë së re! Duan të na kthejnë pas tek drejtësia e tyre, një sistem kriminal ku këta kanë prokurorët e gjyqtarët e tyre, avokatët gjithashtu, kurse ti nuk ke, as siç ke zgjedhur me votë e as siç Kushtetuta thotë; Të detyrojnë që vendimin e tyre ta blesh, me çmimet e tyre, duke të rrjepur deri lëkurën e fundit! Dje, të katër bashkë thanë se më 25 prill do shkatërrojnë reformën në drejtësi! Duan të kthejnë sistemin kriminal ku ti kurrë nuk do gjesh drejtësi, as me çmimet e tyre, kurrë nuk do jesh i barabartë!”,- thekson Braçe.

“Me 25 prill zgjedhja është e qartë: Ata duan drejtësinë e tyre, për vete e familjet e tyre, imunitet prej saj; Ne duam drejtësinë e barabartë e funksionale për të gjithë! Me ata fitojnë vetëm ata; Mos e harro këtë!”,- përfundon Braçe.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.