Riktheu tokën në burim fitimi/ Me mbështetjen e AZHBR-së, Astriti nga Shijaku zgjeron kultivimin e arrave organike


TIRANË, 24 shkurt/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndau sot dëshminë e një fermeri nga fshati Hardhishtë e Shijakut, i cili me mbështetjen e AZHBR-së po kultivon 2800 rrënjë arra, duke synuar me prodhimin e tij jo vetëm tregun shqiptar, por edhe eksportin në të ardhmen.

“Në rrënjët familjes, 100 vite më pas, Astriti ka rikthyer në burim pune e fitimi tokën e trashëguar të familjes së tij. Nisma e një njeriu punëtor, ka vënë sot në funksion të ekonomisë familjare e të komunitetit, 2800 rrënjë arra, me mbështetjen e merituar nga AZHBR”, tha Kryeministri.

Vetë Astriti shprehet se, “nga viti 2019 ka filluar të mbjellë arra te kjo parcelë, për arsye se para 100 viteve e njëjta parcelë ka qenë e mbjellë me arra”.

“Nga vitet ’90 arrat u prenë dhe mua m’u krijua ideja ta rimbjell edhe një herë këtë arrë, ta bëj edhe një herë këtë parcelë si dikur 100 vite më parë. Në vitin 2020 kam aplikuar te AZHBR-ja për certifikatën organike. Duke pasur certifikatën organike, unë jam më i besueshëm te konsumatori për punën e prodhimit të arrave, sepse prodhimi ka standarde dhe është prodhim bio. Kam vendosur të investoj te kjo kulturë, arrat, sepse ka vlerë ushqyese, ka shitje në treg dhe është një pemë shumëvjeçare. Kam 2800 rrënjë arra, pas 5 viteve këto hyjnë në prodhim dhe mendoj se prodhimet e para t’i shes në Shqipëri dhe mbas disa vitesh kur arrat të prodhojnë edhe më shumë mund edhe të eksportoj”, tha ai.

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.