PRAGË – Ashpërsim i bllokimit antiCOVID-19 përballë katastrofës spitalore

PRAGË, 24 shkurt /ATSH-DPA/ – Përballë perspektivës së një katastrofe të përgjithshme spitalore, Republika Çeke ka njoftuar për një bllokim dukshëm më të rreptë, në një përpjekje për të vënë nën kontroll numrin e rasteve të COVID-19.

“Nëse nuk ka kontakte të reja, atëherë nuk mund të ketë infeksione”, tha kryeministri Andrej Babis pa dhënë detaje të tjera.

“Ky virus është me të vërtetë një vrasës dhe të rinjtë janë midis atyre që po vdesin”, shtoi ai.

Vendi po lufton me një rritje në rastet e lidhura me variantin britanik të COVID-19, si edhe disa raste sporadike të variantit afrikanojugor.

Kufizimet aktuale të bllokimit në vend janë vendosur të hiqen të hënën, ndërsa Babis theksoi se shpreson të arrijë një zgjatje të tyre.

Detaje rreth masave të reja priten gjatë ditës së sotme, ndërsa kryeministri po diskuton propozimet me anëtarët e opozitës, si edhe bizneset dhe grupet e punës./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.