Qendra e re shëndetësore në Kashar me standardet më të mira/ Kujdes cilësor dhe pranë vendbanimit për banorët e lagjes 14

TIRANË, 24 shkurt/ATSH/ Qendra e re Shëndetësore në Kashar ofron tashmë standardet më të mira dhe një kujdes shëndetësor cilësor për banorët e lagjes 14.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kjo qendër shëndetësore, si dhe dëshmi të mjekëve dhe pacientëve që marrin shërbimin pranë saj, të cilët vlerësojnë standardet që ofron ky investim.
“Mirëmëngjes, dhe me një tjetër qendër shëndetësore me standardet më të mira që i shtohet kryeqytetit, duke siguruar kujdes shëndetësor cilësor për banorët e lagjes 14 në Kashar, me një shërbim të ri afër vendbanimit, ju uroj një ditë të mbarë”, tha Rama.
Qendra e re Shëndetësore në Kashar do të ofrojë edhe shërbimin e konsultorit për fëmijët e zonës së Astirit në Tiranë, shërbim i munguar prej vitesh.

“Është një qendër e re, qoftë në hapësrira, qoftë në kushte, qoftë në mjete e në pajisje. Të gjitha, çdo gjë është e re. Kuptohet që është një akses shumë i mirë për gjithë pacientët e kësaj zone”, tha një mjek.

“Është mrekulli për ne si lagje”, u shpreh një banor i zonës.

“Do të thotë shumë për pacientët dhe banorët që marrin një shërbim shëndetësor afër banesave të tyre”, tha një infermiere.

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.