Procedimi penal për shitblerje të paligjshme të organeve/ Gjonaj i kërkon homologut spanjoll ndjekjen me prioritet të kërkesës së palës shqiptare

TIRANË, 24 shkurt/ATSH/ Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, zhvilloi sot një takim online me Ministrin e Drejtësisë të Spanjës, Juan Carlos Campo Moreno, me të cilin diskutoi mbi reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si edhe për marrëdhëniet juridiksionale mes vendeve tona.
Forcimi i marrëdhënieve ndërgjyqësore me Spanjën dhe rëndësia e bashkëpunimit për të luftuar krimin transnacional ishte një tjetër temë e këtij takimi.
Gjonaj tha se, “partneriteti historik me Spanjën do të vijojë me hapa konkretë në fushën e drejtësisë”.
I shpreha homologut spanjoll konsideratën për mbështetjen që Spanja i ka dhënë Shqipërisë, veçanërisht në procesin e çeljes së negociatave me BE-në. Informova Ministrin e Drejtësisë të Spanjës se Shqipëria aktualisht është e angazhuar dhe ka ndërmarrë një Reforme të thellë në sistemin e drejtësisë, siç është Reforma në Drejtësi, rezultatet e të cilës janë të shtrira në kohë, por kemi patur një ecuri të mirë të rezultateve të saj pasi janë ngritur institucionet e reja si SPAK dhe BKH”, tha ajo.
Gjithashtu, Gjonaj i kërkoi homologut spanjoll ndjekjen me prioritet të ekzekutimit të kërkesës shqiptare për ndihmë juridike të dërguar nga Ministria e Drejtësisë më datë 9 shkurt 2021 në lidhje me procedimin penal të filluar nga Prokuroria e Shkallës së Parë Tiranë për veprën penale të “Shitblerjes së paligjshme të organeve”, në kuadrin e hetimeve lidhur me shtetasin Saimir Sula, i cili ka ndërruar jetë në Hospital del Mar të Barcelonës në Spanjë dhe verifikimeve që po kryhen lidhur me rezultatet e autopsisë së bërë.
Ministri i Drejtësisë i Spanjës, Juan Carlos Campo Moreno siguroi për mbështetjen e tij në këtë kërkesë që lidhet me një ngjarje me ndjeshmëri të madhe humane dhe publike.
Po ashtu ai siguroi mbi mbështetjen që Spanja është e gatshme të japë për të konkretizuar dhe bashkërenduar bashkëpunimin sipas fushave me interes të përbashkët.

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.